Gaza ka regjistruar rastin e parë të poliomielitit në më shumë se 25 vjet, tha të premten Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Një fëmijë 10 muajsh u diagnostikua pasi mjekët vëzhguan praninë e simptomave që përputhej me sëmundjen dhe testet e kryera në Jordani konfirmuan praninë e virusit, tha ministria në një deklaratë.
Analiza e mostrave të ujërave të zeza në Gaza kishte zbuluar praninë e virusit që në muajin qershor, por ky është rasti i parë i konfirmuar.
Poliomeliti i cili prek kryesisht fëmijët e vegjël, pushton sistemin nervor dhe mund të çojë në paralizë të shtyllës kurrizore dhe të frymëmarrjes, duke rezultuar ndonjëherë deri në vdekje.
Deri më tani nuk ka kurë për këtë sëmundje e cila është tejet ngjitëse.
Virusi u zhduk nga Rripi i Gazës më shumë se 25 vjet më parë përmes një fushate gjithëpërfshirëse vaksinimi.
Por shkatërrimi i sistemit shëndetësor, mungesa e sigurisë, pengimi i aksesit, zhvendosja e vazhdueshme e popullsisë, mungesa e furnizimeve mjekësore, cilësia e dobët e ujit dhe dobësimi i kanalizimeve kanë krijuar mjedisin perfekt për poliomielitin dhe sëmundjet e tjera për t’u përhapur, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë muajin e kaluar.
Një fushatë me dy raunde vaksinimi ndaj poliomielitit që synon më shumë se 640.000 fëmijë nën moshën 10 vjeç do të fillojë në fund të gushtit në të gjithë Rripin e Gazës me mbështetjen e Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, OBSH-së, UNICEF-it, agjencisë së ndihmës së OKB-së UNRWA dhe partnerëve të tjerë.
OBSH dhe UNICEF bënë thirrje për “pauza humanitare” në rajon për të lejuar që fushata të ecë përpara.



