
Redon Makashi ndau me publikun e Ermal Pecit në programin “Më prit të dielën” të gjitha ndjesitë dhe momentet e vështira të ndarjes nga jeta të të atit, artistit Fitim Makashi. Ai pohon se e ka ende jo të lehtë të flasë para publikut, por shton se i besoi Ermalit dhe mënyrës së tij të të bërit televizion, për të qenë pranë audiencës shqiptare.
“Është një dhimbje që mbetet për jetë, sidomos momentet e fundit. Ndonjëherë kam dyshime nëse duhet të isha apo jo në çastet e fundit të largimit nga jeta, kur mbylli sytë. Kur s’je, thua pse nuk isha; kur je, imazhi final i mbylljes së syve të mbetet përgjithmonë. Mendoj se deri sa të largohem unë nga kjo jetë, ai moment nuk do të shqitet asnjëherë nga mendja. Nuk e besoj që ka ikur; shkoj në shtëpi dhe s’e gjej.”
Redoni tregoi në program se është pafund krenar për punën e madhe që ai la për publikun shqiptar, duke shtuar se ka qenë pafund i surprizuar nga numri shumë i lartë i njerëzve të panjohur, përjashto të afërmit apo kolegët, që u bashkuan për përcjelljen e fundit. Këngëtari nuk rri pa cekur faktin se i ndjeri kishte kërkuar të merrte edhe një pension, për të cilin thotë se “nuk ia dhanë” dhe se çdo përpjekje për ta bërë një vlerësim tani pas vdekjes nuk ka më asnjë vlerë.



