Policia arreston një shtetase të shpallur në kërkim ndërkombëtar, e dënuar për trafik narkotikësh në Itali
Policia e Shtetit ka arrestuar një 47-vjeçare nga Elbasani, e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të një organizate kriminale.
Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët italianë, përmes strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan dhe arrestuan në Elbasan, në kuadër të operacionit “Operacionalja 44”, shtetasen Majlinda Avduli, e njohur edhe me emrin Dajana Tafani.
E arrestuara ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Kaljari, Itali, në vitin 2016, me 9 vjet, 6 muaj e 22 ditë burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet italiane për finalizimin e procedurave të ekstradimit drejt Italisë.



