Një operacion i bluve të Tiranës, i kryer në një lokal nate në autostradën Tiranë-Durrës, është finalizuar me arrestimin e autorit dhe sekuestrimin e disa dozave lëndë narkotike. Siç njofton policia e kryeqytetit, në kuadër të operacionit “Mbishkrimi”, është arrestuar pronari i lokalit, I. P., 50 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. Ai rezulton i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
I.P. mësohet se përshtaste lokalin e tij për përdorim e shpërndarje lënde narkotike kokainë dhe për prostitucion. Në lokalin në administrim të tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar kokainë, një pjatë porcelani me mbetje të lëndës narkotike, një DVR, një letër me mbishkrim dhe një aparat celular.
Në lokal është gjendur edhe shtetasja R. C., e punësuar si balerinë në këtë ambient, e cila u akomodua në një qendër pritëse për viktimat e trafikimit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike ”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” në ngarkim të 50-vjeçarit I.P.



