Botuesi Rexhep Hida, njëherazi kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, tha në “Mcn Informacion” se përkthyesit në Shqipëri shpërblehen pak për punën që bëjnë, por kjo nuk vjen ngaqë shtëpitë botuese kanë fitime shumë të ulëta.
Gjithashtu ai vuri në dukje faktin që shteti shqiptar i subvencionon pak përkthimet, ndryshe nga ç’ndodh në vende të tjera si Franca.

“Kur vjen puna te pagesat, të gjithë specialistët ankohen. Ndonëse harxhohet e njëjta energji si në Francë, Gjermani, shpërblimi është shumë i vogël. Kjo pasi veprimtaria botuese është me fitime shumë të ulëta, jo s’e s’duan. Qeveria franceze subvencionojnë 70 për qind të përkthimeve. Shteti shqiptar s’ka mundësit të financojë. Është krijuar një Qendra e Librit, ku fondet janë të kufizuara, tirazhet janë drejt uljet, kjo bën që përkthyesi të mos shpërblehet në masën që meriton”.
Lidhur me sfidat e përkthimit në Shqipëri ai u shpreh:
“Me veprimtarinë e mëparshme përkthimore është hedhur një themel i rëndësishëm. Ky themel i hedhur para çlirimit dhe i zhvilluar pas vitit 1945 është një premisë që duhet të shfrytëzohet nga specialistët e gjuhës dhe veçanërisht përkthyesit. Veprimtaria e përkthimit ka shumë sfida dhe përgjegjësi. Çfarë problematike del? Në mungesën e filtrave, redaktorëve, korrektorëve letrarë, që ishin më parë...Për mungesë financiare, fondesh, sot shtëpitë botuese i kanë më të kufizuara këto mundësi kontrolli. Mund të shërbenin si një sitë. Më bën përshtypje dhe ndonjëherë revoltohem, që përdoren jo vetëm fjalë dhe forma të panevojshme, për gjëra që janë të qarta, ‘në limitet e fundit’, ne kemi fjalën ‘kufij’. Edhe vendosja e fjalëve është e pavend, përdoren forma që e sforcojnë gjuhën”.



