Duma: Në Gaza lejohet të hyjë vetëm 10%  ndihma humanitare. Julie JL: Situata mbetet katastrofike, s’ka spitale dhe ilaçe

Duma: Në Gaza lejohet të hyjë vetëm 10% ndihma humanitare. Julie JL: Situata mbetet katastrofike, s’ka spitale dhe ilaçe

Situata e rënduar humanitare në Gaza dhe kapja e aktivistit shqiptar Baki Goxhaj nga forcat izraelite gjatë misionit të flotiljes me ndihma humanitare kanë qenë në fokus të diskutimit në MCN Informacion. 

 

Aktivistet Fioralba Duma dhe Julie JL ngritën shqetësime për bllokimin e ndihmave, trajtimin e aktivistëve ndërkombëtarë dhe reagimin e institucioneve shqiptare pas kthimit të Goxhajt në vend. 

 

Vetëm pak ditë më parë, aktivisti shqiptar Baki Goxhaj u ndalua nga forcat izraelite teksa ishte pjesë e një misioni ndërkombëtar që synonte të dërgonte ndihma humanitare në Gaza. Sipas aktivistes Fioralba Duma, përvoja e tij pas lirimit ka lënë pasoja të forta psikologjike.

 

Aktivistët nga e gjithë bota kanë raportuar për dhunë sistematike. Disa prej tyre kanë pasur edhe shenja të dukshme fizike. Përtej pasojave fizike, ndikimi psikologjik është shumë i rëndë.

 

Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e një reagimi më të fortë institucional nga Shqipëria, duke theksuar se qeveritë e vendeve të tjera reaguan menjëherë pas ndalimit të aktivistëve.

 

I vetmi reagim zyrtar erdhi nga Ministria e Jashtme. Në vend që të pritej si një person i ndaluar padrejtësisht, morëm vesh se Bakiu u mor në pyetje për rreth dy orë pas kthimit në Shqipëri. Kjo ngre shumë pikëpyetje.

 

Duma vuri në dukje se situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet, ndërsa hyrja e ndihmave mbetet e kufizuar.

 

Nevojat humanitare janë të jashtëzakonshme. Në kufirin e Rafahut po lejohet të kalojë vetëm rreth 10% e ndihmave. Fëmijët kanë nevojë për ilaçe, ushqime dhe produkte bazë jetike.

 

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe aktivistja Julie JL, e cila tha se mbështetja për aktivistët shqiptarë ka ardhur kryesisht nga përfaqësitë diplomatike jashtë vendit.

 

Ka pasur mbështetje të rëndësishme nga ambasadat, veçanërisht në Turqi, por do të dëshironim më shumë koordinim institucional dhe një qasje të ngjashme me atë të vendeve të tjera europiane.

 

Sipas saj, kushtet e jetesës në Gaza po bëhen gjithnjë e më të rënda me afrimin e verës, ndërsa bombardimet vazhdojnë.

 

Nuk kemi spitale, nuk kemi ilaçe. Raportohen lindje pa anestezi dhe ndërhyrje mjekësore pa trajtimin e nevojshëm kundër dhimbjes. Situata humanitare mbetet katastrofike.

 

Julie JL shtoi se organizatat dhe aktivistët do të vazhdojnë presionin publik dhe mediatik për të siguruar rritjen e sasisë së ndihmave që futen në Gaza.

 

Ndërsa aktivistët kërkojnë reagim më të fortë ndërkombëtar dhe më shumë mbështetje për popullsinë civile në Gaza, ata paralajmërojnë se kufizimi i ndihmave humanitare dhe vazhdimi i luftimeve po e thellojnë krizën, me pasojat më të rënda që po i vuajnë fëmijët dhe familjet civile.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy