Popullsia e botës pritet të rritet me më shumë se 2 miliardë njerëz në dekadat e ardhshme dhe të arrijë kulmin në vitet 2080 në rreth 10.3 miliardë, një ndryshim i madh nga një dekadë më parë, thuhet në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara.

Raporti – i publikuar në Ditën Botërore të Popullsisë – thotë se popullsia globale pritet të arrijë në rreth 10.2 miliardë deri në fund të shekullit.

John Wilmoth, kreu i Divizionit të Popullsisë së OKB-së që përgatiti raportin, tha se probabiliteti që popullsia e botës të arrijë kulmin brenda shekullit aktual është mjaft e lartë - rreth 80%.

“Ky është një ndryshim i madh në krahasim me parashikimet e Kombeve të Bashkuara nga një dekadë më parë, kur probabiliteti i vlerësuar që popullsia globale do të arrinte maksimumin, dhe kështu rritja do të përfundonte gjatë shekullit XXI, ishte rreth 30%”, tha ai.

Në nivel global, gratë kanë mesatarisht një fëmijë më pak se në vitin 1990, thuhet në raport, dhe në më shumë se gjysmën e të gjitha vendeve dhe territoreve, numri mesatar i lindjeve për grua është nën 2.1. Ky është niveli i nevojshëm që popullsia e një vendi të ruajë madhësinë e saj pa migrim.

Gati 20% e botës – duke përfshirë Kinën, Italinë, Korenë e Jugut dhe Spanjën – kanë fertilitet “ultra të ulët”, me femrat që kanë më pak se 1.4 lindje, thuhet në raport. Në Kinë, numri aktual është vetëm rreth një lindje për grua.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Zhvillimin Ekonomik, Navid Hanif, tha në një konferencë shtypi duke lançuar raportin, se pritshmëria që popullsia e botës në vitin 2100 do të jetë më e ulët se sa pritej, "përfaqëson një ndryshim të madh në krahasim me një dekadë më parë, me implikime të rëndësishme politike për qëndrueshmërinë e planetit”.

Sipas raportit, në vitin 2024 popullsia tashmë ka arritur kulmin në 63 vende dhe territore, duke përfshirë Kinën, Gjermaninë, Japoninë dhe Rusinë. Në këtë grup, popullsia totale parashikohet të bjerë me 14% gjatë 30 viteve të ardhshme.

Në 48 vende dhe territore të tjera - duke përfshirë Brazilin, Iranin, Turqinë dhe Vietnamin - popullsia parashikohet të arrijë kulmin midis 2025 dhe 2054, thuhet në raport.

Popullsia e botës është rritur në mënyrë dramatike në 75 vitet e fundit, nga rreth 2.6 miliardë në 1950 në 8 miliardë në nëntor 2022. Që atëherë, ajo është rritur me afërsisht 2.5% në 8.2 miliardë.