
Një program i ri që ka për synim të kontribuojë në transformimin digjital në fushën e arsimit në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit është prezantuar në Beograd. "Gen-D - Nurturing a Digital Future", i vënë në jetë nga Propulsion me mbështetjen e Microsoft, do t’u bëjë të mundur studentëve të gjithë rajonit të kenë në dispozicion të gjitha materialet në gjuhën angleze, të krijuara në Serbi vendet pjesëmarrëse (Shqipëria, Serbia, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroacia dhe Bullgaria).
Programi mësimor i nxënësve në Serbi e përfshin programimin që në klasën e pestë, ndërsa programi i mësimit të shkencave kompjuterike në shkollat fillore dhe shkollat e mesme është transformuar ndjeshëm gjatë këtyre viteve të fundit. Në këtë mënyrë, çdo student do të ketë mundësinë të bëhet programues.
Kjo është arsyeja pse modeli i programit mësimor të programimit, i zhvilluar në Serbi, në të ardhmen do të ofrohet në katër vende të rajonit në kuadër të programit “Gen-D - Nurturing a Digital Future”. Ky projekt do të ofrojë në Shqipëri, Bullgari, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci modelin serb të programit mësimor për programimin.
Në diskutimet e panelit në Beograd u mblodhën së bashku ekspertë të ndryshëm nga rajoni për të diskutuar transformimin digjital dhe reformat në arsim nga këndvështrimi i vendeve të tyre.
“Ashtu si në shumë vende të tjera, ajo që prej shumë kohësh kemi kërkuar është të shtojmë sa më shumë aftësitë digjitale në komunitetet dhe në vendet tona, duke marrë kështu një mori rezultatesh, por ndërkohë duke shpenzuar shumë energji. Përmes këtij projekti, shpresojmë të nisim një reformë thelbësore për programet arsimore duke përdorur perspektivën rajonale, përvojat e partnerëve ndërkombëtar të tillë si Microsoft dhe përcjelljen e menjëhershme të njohurive që aplikohet në shkolla nga ana e partnerëve tanë”, mbylli fjalën e tij Arjan Ymeri, drejtor i Qendrës së Inovacionit Digjital “Oficina” në Tiranë, dhe njëkohësisht një nga pjesëtarët e panelit.



