
Bashkimi Evropian ka kritikuar ashpër vendimin e Turqisë për të përsëritur zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Stambollit, pas fitores së opozitës.
"Sigurimi i një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe transparent është thelbësor për çdo demokraci dhe është në zemër të marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Turqinë", tha përmes një deklarate shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Edhe qeveria franceze u bëri thirrje autoriteteve turke të tregojnë "respekt për parimet demokratike, pluralizmin, drejtësinë dhe transparencën".
Po ashtu, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, tha se përsëritja e zgjedhjeve është "e pakuptueshme".
Siç raporton REL, Guy Verhofstadt, udhëheqësi belg i grupit liberal në Parlamentin Evropian, tha se Turqia po "shkon drejt diktaturës".
Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Stamboll u mor nga Kolegji Zgjedhor i Turqisë.



