
Rreth 2 milion banorë në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike prej më shumë se 24 orësh pasi stuhitë e borës dhe erërat e forta kanë prishur rrjetin elektrik që furnizon mijëra fshatra dhe qytete.
Për shkak të gjendjes së rëndë, trafiku është me kilometra në autostrada dhe raportohet për rreth 10 persona që kanë vdekur si pasojë e hipotermisë.
Në një deklaratë, shërbimi i emergjencave të Ukrainës tha se moti i keq ka lënë pa energji elektrike 16 rajone të vendit.
Stuhia po godet gjithashtu Moldavinë, Rusinë, Gjeorgjinë dhe Bullgarinë. Ky mot ekstrem vjen ndërsa mediet amerikane raportojnë se Rusia po përgatit sërish sulme masive me raketa dhe drone në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kritike.
Të shtunën e kaluar, Rusia nisi sulmin e saj më të madh me dron në Kiev që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë në shkurt 2022, thanë zyrtarët ukrainas.
Vjeshtën dhe dimrin e kaluar, Moska kreu sulme të këtillë duke lënë miliona njerëz në të gjithë Ukrainën pa energji elektrike dhe ngrohje.



