
Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Burimeve Natyrore të Ukrainës, Ruslan Strilets i tha CNN të hënën se shembja e digës Nova Kakhovka në Ukrainën jugore javën e kaluar ishte "katastrofa më e madhe nga pushtuesit rusë" që nga fillimi i pushtimit. “Shpërthimi i digës Nova Kakhovka është katastrofa më e madhe nga pushtuesit rusë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit të kaluar. Akti rus i terrorizmit ka pasoja katastrofike për mjedisin, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në të gjithë rajonin”, tha Strilets. Gati një javë pas rënies së digës, përpjekjet për evakuim në qytetin jugor të Khersonit vazhdojnë, pavarësisht uljes së nivelit të ujit. Ministri tha se lumi Dnipro, ku ndodhet diga, është një nga lumenjtë më të mëdhenj në Evropë. Për shkak të çarjes së digës, ai thotë se rezervuari i lumit ka humbur tashmë 72% të ujit. “Rusia ka harxhuar 18 kilometra kub ujë të ëmbël, kjo sasi uji është e mjaftueshme që i gjithë planeti të konsumojë për dy ditë”, vazhdoi ai. Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se mbeturinat e lara përgjatë lumit Dnipro po e kthejnë vijën bregdetare të Detit të Zi të Odesës në "një deponi plehrash dhe varreza kafshësh". Ministri i Mjedisit i Ukrainës u bëri jehonë këtyre shqetësimeve duke thënë se rreth 20,000 kafshë të egra që jetonin në zonat e përmbytura tani janë të ngordhura. “Ne e kuptojmë gjithashtu se ndikimi në ndryshimet klimatike është se mbi 50,000 hektarë pyje ukrainase janë përmbytur dhe të paktën gjysma e tyre do të vdesin.”



