Një 25-vjeçar u arrestua në Shkodër gjatë një operacioni antidrogë. Blerim Harusha u arrestua në momentin që po tentonte të shiste lëndën narkotike të llojit kokainë. Operacioni policor u zhvillua në zonën e quajtur “Truma e dugajve të reja” pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore.
I riu do t’ia shiste drogën një klienti që në fakt ishte një prej punonjëve të policisë i infiltruar si blerës.
Pasi kishte marrë informacione në rrugë operative, policia lokale e kishte organizuar në këtë formë aksionin për arrestimin e të riut, duke lënë takim në një mjedis të hapur për blerjen e kokainës.
Sapo ai është paraqitur në vend-takim, blutë ndërhynë duke e arrestuar dhe si provë materiale i kapën 5 gram kokainë.
Në momentin e arrestimit ai nuk ka bërë rezistencë, ndërsa pas kontrollit në banesë policia i gjeti edhe 105 doza të tjera të gatshme për shitje.
Ato u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, por paralelisht policia ka nisur hetimet mbi bashkëpunëtorët e të riut në këtë rrjet.



