11 persona janë arrestuar nga Policia e Elbasanit nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë. Mes personave të ndaluar është edhe biznesmeni Bujar Muça.
Burime bëjnë me dije se të arrestuarit janë: Endri Doda, Ervin Cani, Akil Kërtusha, Blerim Heta, biznesmeni Bujar Muça, Maksim Lika, i njohur si miku i Emiljano Shullazit, Stefan Mehmeti, Ergys Tusha, Jurgers Mullahi dhe Hanson Mullahi. Doda Cani dhe Kërtusha dyshohen për armëmbajtje pa leje ndërsa të tjerët për kundërshtim të policisë.
Aksioni është zhvilluar në ambientet e një lokali, ndërsa personave të arrestuar u janë gjetur tre armë zjarri tip pistoletë, gati për qitje.
Gazetari Arsen Rusta bën me dije se gjatë kontrollit ka pasur shtyrje ndaj efektivëve të policisë për të mos lejuar kontrollin.
“Numri i të arrestuarve deri në këto momente është 11. Janë sekuestruar 3 pistoleta përgjatë këtij kontrolli. Po ashtu edhe Bujar Muça, ish-deputeti i qarkut të Elbasanit, biznesmeni i kompanisë ‘Delta’. Ka qenë një telefonatë në sallën operative se në një lokal ndodheshin disa persona të armatosur. Ka ndërhyrë patrulla e Policisë dhe Shqiponja-t. Ka pasur shtyrje dhe tentativë për të mos lejuar kontrollin fizik të personave të arrestuar”.



