
Presidenti Bajram Begaj ka dhënë arsyet e mospjesëmarrjes në darken e 21 gushtit me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e BE, të thirrur nga kryeministri grek Mitsotakis.
Në përgjigjen për MCN TV Begaj bën me dije se ka një axhendë të përcaktuar më parë, që ia pamundëson pjesëmarrjen.
“Në përgjigje të interesit tuaj ju bëjmë me dije, se më 14 gusht 2023, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka derguar një ftesë Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, për të marrë pjesë në një darkë informale, më 21 gusht 2023, në Athinë. Një ditë më pas, më 15 gusht 2023, Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët”, tha Presidenca për MCN TV.
Çështja “Beleri” duket të ketë ndikuar në faktin që Mitsotakis nuk i dërgoi një ftesë kryeministrit Rama për të marrë pjesë në darkën informale, duke ftuar në vend të tij Bajram Begaj. Por ftesa tanimë është refuzuar edhe nga Presidenti, duke lënë kësisoj Shqipërinë pa përfaqësim në këtë takim.



