Dirigjenti Eno Koço ndau në “Arnautistan” historinë e jetës. Bir i dy prindërve artistë, Tefta Tashko dhe Kristaq Koço, ai rrëfeu hapat e parë drejt muzikës, të cilët edhe pse krejt rastësorë, e çuan atë në majat e saj. Koço rrëfeu se në moshën 7-vjeçare, pas humbjes së prindërve, u regjistrua në Liceun Artistik, pa e ditur se kishte ndonjë prirje.
Unë jam rritur me fotografitë e tyre. Jam rritur me disqet e tyre. Ata ikën, por edhe sot më duket sikur jetojnë. Janë fotografi të bëra bukur, nga studio të mira në Shqipëri, Francë, Rumani. Edhe disqet të bëra që në 1930 në Paris, me këngë shqiptare, me serenata, pastaj në ’37 dhe pastaj në ‘41 me këngë tradicionale.
Unë jam aksident në muzikë. Prindërit vdiqën, isha rreth 6 vjeç dhe u krijuan ca situata të rastit. Më futën në konvikt në Liceun Artistik, në 1950. Në atë kohë kishin ardhur disa pedagogë rusë. Dajallarët e mi më kishin çuar në Lice. Diku do të futesha, jo për prirje.
Unë u jam dedikuar prindërve. Vajza më thotë “baba të mbeti koka mbrapa. Shiko edhe përpara një çikë”. Unë gjithë këto kohë, jam marrë me studime, me të kaluarën. Me Skënderbeun, me Fan Nolin…”
I rritur pa prindër, të cilët i humbi në moshë shumë të vogël, Koço rrëfen momentin e parë të përballjes, në moshë të madhe, me imazhin e tyre: disa momente të xhiruara në vitin 1938.
Po kërkoja në internet për orkestrën e radios. Kur shikoj që Luçe, në 1938, në 10-vjetorin e monarkisë, shikoj prindërit e mi duke vallëzuar në Pallatin e Mbretit. Kaluan shumë vjet dhe para pak kohësh shoh sërish nga Luçe babain dhe nënën që këndojnë. Shoh edhe foto të tjera. Në piano i shoqëronte Tonin Guraziu. Më të kishin incizuar në Milano. Jam i sigurt që ikën nga kjo jetë pa i parë këto foto. Ato dolën pas viteve ’90 kur filloi të lejohet. Instituti Luçe i nxori, janë bardh e zi. Ai është gjithë momenti i festimit. Por një moment 3-4 sekonda, që mua më duket si 3-4 orë, ata vijnë duke kërcyer të veshur me të zeza. T’i shikosh, që unë nuk i kam njohur, sepse isha i vogël kur ikën, t’i shoh duke lëvizur është impresionuese. Në atë kohë Vedat Kokona shkruante për këtë koncert.



