
Një virus i rrallë që dëmton trurin dhe që ekspertët e konsiderojnë rrezik potencial për epidemi po përhapet në shtetin e Krealas, në Indi. Deri tani, 18 persona janë infektuar dhe 17 prej tyre kanë vdekur, sipas OBSH-së.
Virusi Nipah “strehohet” në degën e frutave në Azinë Jugore dhe Juglindore dhe mund të përhapet te njerëzit përmes lëngjeve trupore të kafshëve. Për të nuk ka as vaksinë, as shërim.
Ky virus është në krye të listës së prioriteteve hulumtuese të OBSH-së. Por masat për parandalimin e përhapjes së saj janë të pakta. Kjo sepse ndryshe nga sëmundjet e tjera të rënda, për studimin e të cilave kontribuojnë financiarisht bizneset apo korporatat e mëdha, ky shqetësim nuk gjen mbështetje të tillë derisa të përshkallëzohet.
Nëse do të dilte jashtë Indisë, ky virus ka gjasa të shfaqet fillimisht në Dubai, ku punojnë shumë indianë. Ky është përfundimi i një analize të skemave të fluturimit të kryer nga Eco Health Alliance, një grup kërkimor.
Në SHBA, shanset më të mëdha janë që virusi të mbërrijë fillimisht në aeroportin “John F. Kennedy”.
Virusi Nipah ka simptoma të ngjashme me ato të gripit, si ethe, dhimbje trupi, të vjella, që në shumicën e rasteve përfundojnë në encefalit apo infeksion të trurit. Ata që i mbijetojnë shfaqin dëmtime në tru, përfshirë edhe ndryshime të personalitetit.
Virusi është identifikuar për herë të parë në vitin 1998, kur u përhap te fermerët që rrisnin derra në Malajzi. Në atë kohë vdiqën 100 persona dhe ngordhën rreth 1 milion derra. Raste të ngjashme shfaqen pothuajse çdo vit në Bangladesh.
OBSH-ja nuk ka ka dhënë ende udhëzime për kufizime udhëtimi në këtë rajon. Koalicioni për Inovacionin dhe Parapërgatitjet ndaj Epidemive ka akorduar një fond 25 milionë dollarë për zhvillimin e vaksinës për këtë virus. Por ky është një projekt që pritet të marrë të paktën 5 vjet. / NYT / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



