Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar për mediat se shkrirja e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit është pavend, pasi sipas tij i pari që duhej larguar është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
“Ka kaluar një muaj që unë kam denoncuar me revoltë të madhe ngjarjen e tmerrshme të Elbasanit, që tregoi me zë dhe figurë sesi ky shtet është vënë përfundi nga mafia. Veprimet e ndërmarra sot, nuk janë thjeshtë të vonuara, por të pavend, Çako në mos të ishte dorëhequr, duhet të ishte shkarkuar, ai dhe kupa duhet të ishin vënë përpara drejtësisë”, u shpreh Basha.
Kreu i PD iu referua edhe drogës së sekuestruar në Vlorë, për të cilën tha se është në pronësi të kupolës së shtetit. Basha shtoi gjithashtu se operacionet e mëdha antidrogë si në Vlorë ashtu edhe në Xibrakë të Elbasanit, janë realizuar nga agjencitë partnere. Sa i takon akuzave ndaj Tahirit, Basha tha se po bën marrëveshje me Ramën për t'i shpëtuar drejtësisë.
"Hapi i parë është largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeveria antimafia dhe shkëputja e lidhjes së krimit me politikën", tha Basha.



