
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë një ndalese për fushatë elektorale në Kamenicë, deklaroi se më 14 shkurt do të vendoset nëse Kosova do të jetë apo jo shtet i lirë.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ Hoxhaj deklaron se Kamenica beson në ekipin që PDK ka ndërtuar për të qeverisur vendin.
“Kamenica beson në Partinë Demokratike të Kosovës dhe voton numrin 134. Beson, sepse PDK-ja e ka ekipin më të mirë të ekspertëve. Voton, sepse PDK-ja i ka prirë ndryshimeve më të mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë”, shkruan ai.
Hoxhaj nuk i ka kursyer sulmet për Vetëvendosjen ku ka shkruar se qeveria e saj e shkatërroj këtë komunë.
“Kamenica është pasqyra më e mirë e qeverisjes së keqe të Vetëvendosjes. Por, në qeverisjen time, kudo që ka nxënës do të ketë edhe shkolla. Qytetarët e Kamenicës dhe gjithë Kosovës, më 14 shkurt do të vendosin nëse do të vazhdojmë të jemi shtet demokratik apo shtet me sistem autoritar. Do të vendosin nëse do të vazhdojmë të jemi shtet me treg të lirë apo shtet social jugosllav”, shtoi Hoxha.



