Seanca ndaj Ilir Metës është shtyrë sërish për shkak të mungesës së avokatit të Monika Kryemadhit.
Pas daljes nga GJKKO ish-deputetja Monika Kryemadhi foli për mediat lidhur me hetimin, duke u shprehur se kanë dalë emrat e kompanisë amerikane që kanë paguar fatura në emër të LSI-së në SHBA. Ajo pretendon se nuk ka patur autorizim zyrtar nga Kryesia e LSI për pagesat e faturave.
Kryemadhi thotë se nxjerr në pah grushtin e shtetit, apo puçin ndaj familjes së saj. Ajo theksoi se do të zbardhet skema e famshme e gjuetisë së shtrigave e iniciuar nga Yuri Kim.
Duke folur për mediat Kryemadhi tha:
“Sot kemi kompanitë që kanë paguar faturat në emër të LSI-së, kjo nxjerr në pah grushtin e shtetit, apo puçin ndaj familjes sime dhe rrethit tim shoqëror. Një kompani amerikane ka paguar për LSI-në në një kompani amerikane për lobim. Që nga ky moment akuzat për lobim ngarkojnë me faj kompaninë dhe sistemin financiar të SHBA-ve, që ka pranuar të paguhen para në emër të një partie politike shqiptare. Edhe pagesat nëse janë bërë duhet të kenë autorizimin zyrtar nga Kryesia e LSI. Do zbardhet edhe skema e famshme e gjuetisë së shtrigave e iniciuar nga Yuri Kim”.
Avokati i Ilir Metës Kujtim Cakrani thotë se:
“Ka patur letër porosi në SHBA vazhdon për çështjen e lobimit. GSIS kishte marrë një pagesë nga një biznesmen që nuk ka as firmë as vulë nga Meta. Ne nuk na shqetëson letërporosia si provë, por fakti që organi i procedurës ka përfunduar hetimet dhe vazhdon hetimet sot në seancë paraprake”.



