
Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga pala serbe. Në një mesazh të ndarë në 5 pika në Twitter, Rama thotë se pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi. Ndër të tjera Kryeministri shton se pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë. 1. Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. 2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! 3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre! 4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri! 5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë.



