
Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagon pas shpërthimit të makinës së prokurorit Arjan Muça. KLP shpreh indinjatë me sulmin, duke e cilësuar një akt kriminal ndaj prokurorit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën numër një të Këshillit.
Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.
Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.



