Largimet e të rinjve nga vendi dhe shpopullimi që po ndodh në vendin tonë ka qenë një nga temat që gazetari Blendi Fevziu ka diskutuar ndër të tjera në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV.
Ai u shpreh se me gjithë këto ikje të rinjsh Shqipëria rrezikon të kthehet në një azil pleqsh, ndërkohë që tha se sektorët kryesorë të ekonomisë kanë nevojë urgjente për punonjës.
Sipas tij nëse shqiptarët do të vazhdojnë të ikin, do të kemi probleme serioze, ose do të mundohemi të marrim të ardhura nga jashtë.

Të rinjtë shohin që situata ekonomike është shumë e vështirë dhe nuk u lejon një ecje normale. Imagjinoni një të ri që vjen nga një zonë periferike. Marrim Kolonjën meqë e përmendëm, mbaron studimet në Tiranë dhe do të fillojë punë, me çfarë do të jetojë? Si do ta blejë shtëpinë me këto çmime që janë? Si do të jetojë? Ka pikëpyetje të madhe.
Një pjesë e emigracionit të të rinjve, vjen pikërisht nga kjo. Ky vend është shumë i vështirë për jetesën e të rinjve. 73% e të rinjve, po të kishin mundësi do të largoheshin. Mund të kthehet Shqipëria në një azil të madh pleqsh.
Ne mendojmë se industria bazë në Shqipëri do të jetë turizmi dhe bujqësia, këto janë fushat kryesore. Turizmi kërkon njerëz dhe bujqësia kërkon njerëz. Nëse shqiptarët do të vazhdojnë të ikin, do të kemi probleme serioze, ose do të mundohemi të marrim të ardhura nga jashtë.



