Banka e Shqiperisë evidenton se, sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, vihet re se zgjerimi i portofolit të kredisë për biznese është mbështetur nga kredia për investime, duke qenë në linjë edhe me kontributin më të lartë që investimet private kanë dhënë në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend.
Në raportin e publikuar se fundi nga Banka Qendrore, citohet se, ndryshimet vjetore të kredisë për qëllime investimi shënuan përmirësim në 2.7% në muajin maj, përkundrejt 2.5% në mars, ndërsa rritja e kredisë për likuiditet u ngadalësua në 1.4% përkundrejt 2.1% që ishte në muajin mars.
Sipas sektorëve të ekonomisë, portofoli i kredisë për biznese dominohet nga kredia për sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve. Pesha e kredisë së këtij sektori arriti në 38.1%, duke dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e portofolit të kredisë për biznese në tremujorin e dytë.
Ky portofol shënoi një rritje vjetore prej 2.9% në fund të muajit maj. Kredia për sektorin e ndërtimit shfaqet gjithashtu e përmirësuar. Kredia për këtë sektor u rrit me 1.7% krahasuar me një vit më parë dhe pesha e tij mbeti në 12.8% të kredisë për biznese në fund të muajit maj. Ndërkohë, kredia për sektorin e industrisë shënoi tkurrje me rreth 2% vit mbi vit. Kjo ecuri duket të jetë ndikuar kryesisht nga reduktimi i kredisë për nënsektorin e prodhimit të energjisë dhe lëndëve të tjera djegëse. Këto zhvillime sektoriale të financimit të bizneseve janë në linjë me ecurinë e aktivitetit ekonomik të secilit sektor në ekonomi. e



