
Gazeta gjermane “Wirtschaftswoche” shkruan se me vendimin për tarifat e aluminit dhe çelikut, presidenti amerikan po përpiqet të nxjerrë nga tregu i SHBA-ve makinat gjermane. Në shkrim thuhet se Trump i ka thënë presidentit francez, Emmanuel Macron, se do të ndalojë “Mercedes Benzin” të hyjë në Nju Jork.
Prodhuesit gjermanë të makinave kontrollojnë 90% të tregut amerikan të makinave të cilësisë së parë, ku grupi BMW ka në pronësi “Rolls Royce” dhe BMW, ndërsa “Daimler” ka “Mercedes Benz” dhe “Volkswagen” kontrollon “Bentely”-n, “Buggati”-n, “Porsche” dhe “Audi”-n.
Administrata Trump ka hapur një hetim që pritet të verifikojë nëse importi i mjeteve e ka dëmtuar industrinë amerikane të makinave.
Duke iu referuar disa diplomatëve amerikanë dhe europianë, që mbeten anonimë, revista shkruan se Trump i ka thënë Macron-it se do ta vijojë politikën e tij tregtare derisa asnjë “Mercedes Benz” të mos shihet në rrugët e Nju Jorkut.
Bashkimi Europian importoi nga SHBA-të vitin e kaluar makina me vlerë 6.2 miliardë euro, ndërsa vetë blloku eksportoi drejt SHBA-ve makina në vlerë 37 miliardë euro.
Trump pritet të vendosë sot nëse do të ketë ndryshime në tarifat e aluminit dhe çelikut, një masë që Gjermania ka paralajmëruar se do të çojë në një luftë të dëmshme tregtare.



