Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Kapllan Sulaj, policinë për sigurinë ushqimore në verë, referuar nismën për sigurinë dhe cilësinë e produkteve në bregdet, e sheh si ndërhyrje e qeverisë shqiptare, me një VKM për krijimin e një task force kur vlerësohet rreziku i lartë në periudhën e verës. Po ashtu ai flet për nismën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që do të mbikëqyrë mbi 6 mijë subjekte, ndonëse tha se janë më shumë. Por sipas tij, janë veçuar këto 6 mijë subjekte, si subjekte që paraqesin risk më të lartë për konsumatorin. Sulaj tha se jemi në sezonin e turizmit dhe turizmi në këtë kohë shton rreziqet për shkak se presim nga jashtë flukse të mëdha njerëzish. Në këtë drejtim tha se nuk janë vetëm ushqimet shkak për sëmundjet e konsumatorit por edhe hyrjet që vijnë nga jashtë. “Të gjithë njerëzit që vijnë nga jashtë mund të jenë vektor i transmetimit të shumë infeksioneve, mund të shkojnë në restorante, të kontaminojnë ushqimin, edhe vendin. Nëse dikush i infektuar do konsumojë në një pjatë me ushqim dhe kjo pjatë të mos lahet mirë, mund të bëhet burim infeksioni për më tej. Kërkohet vëmendje maksimale dhe kjo gjë arrihet me anë të inspektimeve dhe kontrolleve periodike. AKU ushtron kontrolle periodike në të gjithë qarqet. Tashmë kemi krijimin e një task forcë që do mbulojë vetëm zonën turistike të Shqipërisë, në mënyrë që ushqimet që do i serviren turistit të jenë sa më të sigurta. Siguria ushqimore nuk është atribut vetëm i autoriteteve pir edhe angazhim i secilit nga ne. Nuk mund të themi që kemi ushqime të sigurta nëse nuk kujdesemi për gjithçka, për mjedisin, ushqimin, për plazhet, pasi çdo mjedis mund të ndikojë te ushqimi. Ushqimi nuk është diçka e izoluar nga mjedisi, gjithçka ndikon te siguria ushqimore. Të gjitha janë pjesë e një sistemi të tërë që ndikon ndjeshëm në situatat e sigurisë ushqimore. Natyrisht pjesën kryesore e zë ushqimi. Por krahas inspektimeve periodike ne duhet të ndërgjegjësojmë prodhuesit. Se ligji përcakton që prodhuesi mbart përgjegjësi ligjore për atë që prodhon dhe i servir konsumatorit. Ai duhet ti garantojë konsumatorit prodhim të sigurtë.” Në vijim Sulaj tha se ka rënie të numrit të gjedhëve dhe se tani kemi rreth 350 mijë. Ai foli për një numër në zvogëlim dhe kjo sjell që prodhimi i mishit të bjerë. “Ne preferojmë dhe mishin e të imëtave qengjit dhe kecit. Sasia e prodhimit të mishit për ton ka rënë për shkak të rënies së numrit të krerëve dhe kjo ka shtuar rritjen e numrit të importeve. Nuk mund të ketë sezon turistik të shëndetshëm pa pasur këtë lloj produkti. Kur ka prodhim të paktë vendas do rritet numri i importit. Pjesa e blegtorisë me atë numër që ka nuk ka mundur ti plotësojë nevojat kombëtare për mish. Në rastin e mishit të importit është shumë e thjesht të vendosësh elementët e gjurmueshmërisë, për të parë nga vjen ky lloj produkti. Është mirë që gjithë ky informacion të mbartet deri te konsumatori fundor. Ka mish që nuk ka etiketë, si mish i freskët. Mishit të freskët, kur është i paketuar nuk i vihet etiketë se nuk i ngjitet në mish nga lagështia. Por në krahë i vihet një lloj etikete, ku jepet origjina nga vjen gjithë informacioni dhe produkti dhe këtë çdo furnizues i mishit duhet ta servir te konsumatori. Ushqimi është pjesë e sigurisë kombëtare.” Lidhur me arsyet se pse AKU nuk i bën publike emrat e subjekteve të gjetura në shkelje, tha se emrat bëhen publike në momentin që ka rrezik për shëndetin e konsumatorit, por nënvizoi se ka pasur dhe raste kur nuk është publikuar. Në këtë drejtim tha se edhe inspektoriati i AKU mund të jetë përfshirë në lloj lloj afere, por tha se tashmë është krijuar një numër i mirëfilltë inspektorësh që e kryejnë punën në mënyrë profesionale, ndonëse shtoi se ka raste kur inspektimet nuk kryhen në mënyrë profesionale.



