Disa vite pasi kishte deklaruar se Maqedonia e Veriut do t’i bashkohet Shqipërisë në rrugën drejt bashkimit Evropian dhe të dyja do të ecin paralelisht, ministri i transportit, Aleksandër Nikoloski, ndryshon qëndrim.
Këtë radhë flet prerë për pengesat që Shqipëria do të ketë drejt anëtarësimit. Në një intervistë për kanalin 5, Nikoloski deklaroi se Shqipëria nuk do të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Evropian dhe për këtë është i bindur plotësisht, madje dha edhe shkakun që sipas tij nuk është Shqipëria, por vet Unioni.
“Fillimisht thashë se do ta bashkojnë Maqedoninë dhe Shqipërinë në bazë të një marrëveshjeje të Bujar Osmanit dhe MPJ-së së atëhershme të Shqipërisë. Askush nuk besonte atëherë, madje qeveria dërgoi njoftime se ishte fantashkencë. Ajo fantashkencë u bë e vërtetë dhe ne u bashkuam me Shqipërinë.
Unë tani deklaroj se Shqipëria nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE-së. Jo për shkak të Shqipërisë, por për shkak të qëndrimeve të Bashkimit Evropian”, tha Nikolloski.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2022, u ulen në të njëjtën tryezë me vendet anëtare, në Konferencën e parë ndërqeveritare, ku u shënua nisja e procesit të bisedimeve për anëtarësim, pas një kalvari të gjatë pritjeje, zvarritjesh dhe pengesash. Por një vit më vonë kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria dhe RMV-ja nuk duhet të shqyrtohen si pako në rrugën e tyre drejt BE-së, pas konfliktit të saj me Bullgarinë.



