
Vite më parë, ajo ka qenë një nga prezantueset më të njohura të televizionit italian. Tashmë 58-vjeçare, Parieti kthen kokën pas dhe flet për pengjet. Një prej tyre është refuzimi i një oferte nga Silvio Berluskoni.
"Në atë kohë mendoja se të pranoje para nga Berluskoni do të ishte pak a shumë si të shiteshe te djalli. Ishte gafa më e madhe. Mund të kisha qëndruar besnike ndaj vetes edhe duke e pranuar atë ofertë ", ka thënë ajo gjatë një interviste në emisionin “Un giorno da pecora”. Parieti rrëfeu se kishte refuzuar një ofertë prej 9 miliardë liretash për të mos punuar për Silvio Berluskonin në Mediaset.
Parieti ka komentuar edhe politikën aktuale italiane. “Salvini? E shikoj me vëmendje në televizor, ka aftësi të mëdha, por unë nuk jam e magjepsur prej tij. Një politikan që më pëlqen? Më mirë kalojmë te pyetja tjetër ... Giuseppe Conte? Ai bëri njëfarë revolucioni personal, që me siguri as ai nuk e priste nga vetja", ka thënë ajo. E pyetur nëse do ta refuzonte një darkë me Conte-n, ajo është përgjigjur: “Kush paguan? Unë shkoj për darkë vetëm me burra që paguajnë faturën".
Dhe pyetjes "a ke pasur ndonjëherë marrëdhënie me një politikan?", Parieti iu përgjigj: "Jo, por kam qenë shoqja e fëmijërisë e Fassino-s".



