Sipas një studimi në Mbretërinë e Bashkuar, llojet shumë të fuqishme të marijuanës, të cilat kanë përqendrime të mëdha të tetrahidrokanabinolit (THC) kanë krijuar rritje të varësive në mbarë botën.
Studimi i botuar të hënën në revistën “Lancet Psychiatry”, konkludon se, njerëzit që përdorin kanabis me një fuqi THC mbi 5 deri në 10 miligramë për gram kanë rrezik më të lartë për varësi dhe probleme të shëndetit mendor.
Bashkëautori i studimit, Tom Freeman, drejtor i grupit të varësisë dhe shëndetit mendor në Universitetin e Bath në Mbretërinë e Bashkuar, i tha CNN se përdoruesit e kanabisit me potencë të lartë kanë "rrezik katër herë më të madh për varësi" në krahasim me përdoruesit e kanabisit me potencë të ulët.
"Një raport i Kombeve të Bashkuara zbuloi se në dy dekadat e fundit, përqindja e njerëzve që kërkojnë trajtim për varësinë nga kanabisi është rritur në të gjitha rajonet e botës, përveç Afrikës," tha ai.
Aktualisht, afërsisht tre në 10 njerëz në Shtetet e Bashkuara janë diagnostikuar me varësi nga marijuana, sipas statistikave nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Po kështu, Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë ndaj Drogës gjeti një rritje prej 76 për qind në trajtimin e varësisë nga marijuana gjatë dekadës së fundit.
Studimi tregon një rritje të përqendrimeve të nivelit të THC që nga viti 1975.
Në një gram kanabis bimor, majat e thara dhe të korrura të bimëve femërore të marihuanës që zakonisht tymosen, përqendrimet e THC rezultojnë të jenë rritur mesatarisht 2.9 miligramë çdo vit, sipas një studimi të vitit 2020 nga Freeman dhe ekipi i tij në Universitetin e Bath.
Në rrëshirën e kanabisit, lëngun ngjitës kafe në bimë nga i cili bëhen ekstraktet, nivelet e THC janë rritur me afërsisht 5.7 miligramë çdo vit nga 1975 deri në 2017. Produktet e koncentruara mund të arrijnë nivele jashtëzakonisht të larta të THC.
Freeman paralajmëron se konsumatorët mund të mos jenë plotësisht të vetëdijshëm për nivelet e THC në produktet e kanabisit që ata konsumojnë, veçanërisht nëse blihen në mënyrë të paligjshme. Ai paralajmëron se përpjekjet individuale për të kufizuar fuqinë, "p.sh. duke e thithur më pak ", nuk e ulin në mënyrë efektive marrjen e THC nga një person.
"Disa lloje të kanabisit janë zakonisht më të fuqishëm se të tjerët - ekstraktet e kanabisit janë zakonisht më të fuqishëm se lulja e kanabisit," tha Freeman për CNN.
"Produktet me fuqi më të lartë ende ofrojnë një dozë më të madhe të THC tek konsumatorët sesa produktet me fuqi më të ulët," shtoi ai.
Studimi vë në dukje se njerëzit e varur nga kanabisi kanë një rrezik më të lartë të psikozës ose një "humbje të kontaktit me realitetin", siç janë dëgjimi i zërave ose deluzionet.
“Dëshmitë që lidhnin fuqinë e kanabisit me varësinë dhe psikozën janë shumë të qarta,” tha ai për CNN.
Në SHBA, 19 prej shteteve e kanë legalizuar marijuanën për përdorim rekreativ.



