Një person i cili lëvizte i armatosur dhe me lëndë narkotike, është vënë në prangat e policisë së Tiranës.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në planin e masave si dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas po lëviznin të armatosur, në automjet, në rrugën “Ramazan Demneri”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”, për kapjen e tyre.
Shërbimet e policisë kanë ndaluar automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin M. D., dhe pasagjer shtetasin E. G.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E.G., shërbimet e policisë “Shigjeta” gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr.2 u arrestuan në flagrancë shtetasit: E.G., 50 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” si dhe M.D., 40 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se 50-vjeçari, ishte i dënuar disa herë për armëmbajtje, për lëndë narkotike dhe për vjedhje me dhunë.



