Kryeministri i vendit, Edi Rama ka vizituar ditën e sotme qytetin e Durrësit duke u shprehur se ky qytet do të ketë një transformim të jashtëzakonshëm.
Rama ka deklaruar se në Durrës do të ndërtohet një eco-park, që do t'i japë mushkëri dhe fytyrë të re këtij qyteti.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar këtë qytet si një plagë mjedisore dhe një turp për Shqipërinë.
“Durrësi më parë ishte një plagë mjedisore dhe ky qytet turpërohej e Shqipëria turpërohej. Ndërkombëtarët bënin dokumentare në Porto Romano, ku male të tëra kalbeshin mbi dhe e ndikonin në ajrin e shëndetin e njerëzve, duke ndikuar në imazhin e një qyteti që ka të gjitha potencialet për të qenë qytet shumë i shfrytëzuar nga ana turistike. Sot në Durrës bëmë transformim të jashtëzakonshëm. Do të bëjmë eko-park në këtë qytet, duke i dhënë mushkëri Durrësit”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama është shprehur se po bëjnë atë që opozita e sotme nuk e ka bërë dot kur ishte në pushtet.
“Kemi ndihmuar njerëzit që janë më shumë në nevojë. Opozita le të na tregojë një shkollë apo çerdhe që kanë bërë kur ishin në pushtet e që janë në standardet e atyre që kemi bërë ne. Ne do të ndërtojmë lagje të reja, rishtas nga e para", tha ai.



