Në studion e MCN Informacion, Altin Gjeta, ekspert i çështjeve ndërkombëtare, dhe Hektor Ruci, profesor i së drejtës ndërkombëtare, komentuan nismën për të ngritur forumin për dialog politik.
Gjeta u shpreh se janë mundësitë për të krijuar një bllok, por kjo do pak kohë. Ndërsa Ruci tha se ka indicie pozitive.
Altin Gjeta, ekspert i çështjeve ndërkombëtare
Formula është e thjeshtë. Nëse do të ketë vullnet politik. Nëse opozita vijon e ndarë në aksionin e vet politik, atëherë nuk do të jetë konkurruese dhe do t’i ketë shanset zero. Duhen eksploruar të gjitha mundësitë se si mund të ndërtohet një strategji më koherente sepse kjo do të ishte rruga e vetme drejt së cilës mund të shkohet në ndërtimin e një opozite që krijon besim te qytetarët. Ka mungesë besimi të thellë mes palëve, ndaj ne kemi marrë këtë nismë. Qëllimi nuk është shkrirja e të gjitha partive në të një vetme, por ndërmarrja e disa akteve në interes të përgjithshëm. Ka mundësi që më në fund të kemi një bllok. Kjo është iniciativë me hapa. Nuk ndodh brenda ditës. Ne po dëgjojmë palët fillimisht, kemi idetë tona. Ajo që ne shikojmë është se shumica bien dakord se ka nevojë urgjente për një opozitë më të koordinuar në aksionin politik.
Hektor Ruci, profesor i së drejtës ndërkombëtare
Përgjigjet kanë qenë pozitive. Madje edhe entuziaste. Vlera e kësaj që po bëjmë qëndron pikërisht te pamundësia e partive politike për të folur me njëra-tjetrën. Nuk është problem i lehtë. Por të ishte i lehtë nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Ne nuk kemi ndërmend të shkrijmë opozitën, as të krijojmë parti të re. qëllimi është të bëjmë një mediacion në atë nivel ku partitë politike pa besim ndaj njëra-tjetrës të kenë një opsion shtesë. Ne jemi mediatorët. Përsa kohë ky është një proces negocimi, gjërat janë të hapura. Ne kemi diskutuar me të gjithë. Ata që janë pjesë e spektrit opozitar dhe si të tillë kemi marrë indicie pozitive. Shpresojmë që në ditët në vijim të kemi diçka më vizibël.



