
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kërkoi sot që të shtyhen zgjedhjet në katër komunat në Veri të Kosovës, të planifikuara të mbahen më 23 prill.
Gjatë fjalës së mbajtur sot në seancën e Kuvendit, Haradinaj vuri në dukje kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet e vendit.
“Ne duhet të kemi guxim politik t'i trajtojmë temat në të vërtetën e vet, së paku të mos fshihemi nga temat që vendi i ka përpara. Nuk mendoj që do të fitojë shteti nëse heshtim nga gjendja në veriun e Kosovës. Procesi për të mbajtur zgjedhje tash në Veri nuk është i qëndrueshëm. Pse jemi në këtë gjendje e dimë agjendën e Serbisë dhe të Listës Serbe. Por a e dimë ne dhe Qeveria rrugën deri te suksesi. Me sa shoh unë me informatat që kam gjendja e sotme nuk na dërgon tek suksesi, procesi zgjedhor nuk na çon te suksesi”, ka theksuar Haradinaj.
“Duhet t’i bëjmë analizë situatës, a është në interesin tonë të arrijmë te kjo pikë, çfarë do të fitojmë. Nuk besoj që duhet ta heshtim këtë gjendje, më mirë ta pranojmë një çerek humbje sot se një humbje të plotë nesër. I bëj thirrje Qeverisë dhe presidentes ta marrin me seriozitet situatën në veri dhe ta marrin një vendim të guximshëm. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë shtyrja e zgjedhjeve”, është shprehur Haradinaj.



