
Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Itinerari 3”, duke goditur një rrjet që ndihmonte emigrantët të kalonin ilegalisht kufirin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të këtij operacioni, në flagrancë u arrestua shtetasi M.S., 25 vjeç, banues në Darfur, Sudan.
Hetimet zbuluan se ai, në bashkëpunim me persona të tjerë që dyshohet se ndodhen në Greqi, organizonte dhe ndihmonte emigrantët që të kalonin nga Greqia në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër, kryesisht në zonën e Devollit.
Dy emigrantë të paligjshëm u kapën nga shërbimet e Sektorit të Hetimit të Krimit të DVKM Korçë në malin Moravë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, ndërsa policia vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.



