Drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste dhe përplasjen e Elisa Spiropalit me kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar atë si një lëvizje të mirëllogaritur politike për të mbajtur brenda kampit socialist elektoratin e pakënaqur.
Në “MCN Live”, Lapaj u shpreh se sipas sondazheve të lëvizjes që ai drejton, mazhoranca ka pësuar një rënie të ndjeshme dhe po tenton të krijojë një “digë” të dytë politike përmes Spiropalit, në mënyrë që votat që largohen nga PS-ja të mos shkojnë te partitë e reja.
Spiropali është më besnikja e Edi Ramës; kjo është një digë që Edi Rama po mundohet të krijojë nga çarja që i është krijuar PS-së. Sipas disa sondazheve tona, PS ka një çarje dhe rënie prej 17% në elektorat. Është një ikje masive e ‘ujit’ dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur është t'i bësh një digë më të vogël më poshtë, që të mos mbetet i paaktivuar. Sigurisht që narrativa duhet bërë e besueshme, konflikti duhet të bëhet i besueshëm, por në fund këta janë bashkë. Ka qenë kundër qasjeve të Ramës Spiropali? Atëherë pse e votoi reformën territoriale? Ajo ka qenë pjesë e elitës drejtuese që e kanë sjellë Shqipërinë këtu ku është sot, është bashkëautore në suksesin apo dështimin që ka ndodhur. Ajo ka qenë aty me Ramën që nga ndryshimet me Kodin Zgjedhor e deri te të gjitha ligjet që e kanë sjellë vendin këtu ku është sot. Edi Ramës ajo i shërben; kjo diga që është partia dhe mban elektoratin është çarë, ka 17% rënie dhe uji që ikën nga diga do të shkojë diku. Këta po krijojnë narrativën që ‘Edi Rama është problemi, por ne socialistët e vërtetë jemi këtu për të bërë sukses’, dhe unë këtë narrativë nuk jam i bindur ta besoj.
Duke folur për alternativën që ofron “Shqipëria Bëhet” dhe bashkëpunimin me faktorët e rinj politikë, Lapaj bëri publike formulën e propozuar për zgjedhjet vendore, si dhe kushtin për kandidatin e Bashkisë së Tiranës, ku përmendi edhe emrat e Dorina Prethit dhe Ilir Alimehmetit.
Shqipëria ka vetëm një rrugë dhe ajo është distancimi total nga kjo klasë politike që e ka sjellë vendin këtu. Ne kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit për subjektet e reja dhe qytetarët e angazhuar në protestë, duke propozuar një formulë që secila parti e re, aty ku ka, të propozojë një kandidat dhe në 46 bashki njerëzit që dalin më të votuar në sondazhe t'i mbështesim të gjithë. Sa i përket Tiranës, ne vumë kushtin që nuk mbështesim një kandidat të një partie tjetër, por që të mos e krijojmë ne garën, kandidatët që dalin më të votuar përmes sondazhit do t'i mbështesim të gjithë. Po të jetë për kandidatë partie, edhe ne kemi një zonjë grua, Dorina Prethin, ashtu sikurse kanë ata një zotëri burrë, Ilir Alimehmetin, por ne merremi me parimin dhe jo me individin. Sa i përket protestës, atje janë 200 grupe; cilin do të zgjedhim nga protesta? Pra, nuk mund ta trajtojmë politikën ‘kap ç'të kapësh’. Unë në politikë nuk kam hyrë për të kapur momentin që të kap diçka, por për të orientuar atë pjesë të njerëzve që më dëgjojnë drejt së drejtës. Ne nuk mund të ecim sipas rrjedhës së ujit; politika është të marrësh vendime dhe të përgjigjesh për vendimet që merr. Unë e njoh mirë atë shesh se kam 16 vite në atë shesh, por po them se nuk ka grupim me më shumë se 20 veta atje, dhe nëse del ti, dalin 10 të tjerë dhe thonë ‘pse ky’?
