Anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak të Tiranës kundërshtojnë rritjen e tarifës për ujin e pijshëm, duke akuzuar Veliajn se po fsheh pas kësaj një megaafere. Kreu i këshilltarëve të PD-së, Leonard Olli, tha se në rastin e rritjes së tarifës së ujit kemi të bëjmë me vjedhje të qytetarëve të Tiranës.
“Nesër është vendosur mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku si zakonisht u njoftua në mesnatë, një praktikë e njohur kjo, e mungesës së transparencës nga z. Veliaj dhe ashtu si në çdo rast, grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike, ka zhvilluar takimin konsultativ për qëndrimet politike dhe teknike, në raport me projekt-aktet që do të na paraqiten, ku tërheqin vëmendjen dy çështje madhore. Ajo e rritjes së tarifës së ujit të pijshëm që në gjykimin tonë njëzëri u konsiderua si një akt abuziv i pastër në vjedhje sërish të qytetarëve të Tiranës dhe nga ana tjetër një megaaferë korruptive, sikundër është kalimi i fondit prej 60 milionë eurosh për ndërtimin e shkollave me partneritet Publik-Privat”, tha Olli.
“Është një abuzim i pastër sepse nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë motivim për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur në një gjendje të degraduar sa i takon menaxhimit të të ardhurave, në Ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë. Është një veprim i pajustifikuar që tenton vetëm të rrisë buxhetet të cilat nuk do të përdoren, jemi mëse të bindur për qëllimet që paraqiten. Ashtu sikurse u mashtruan edhe me çështjen e biletës dhe u premtua një shërbim më cilësor dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që nuk ka ndryshuar asgjë, e njëjta situatë dramatike, do të pasojë edhe më ujin e pijshëm, por vetëm me një ndryshim të madh, që do të kemi një tarifë me rritje me mbi 35% e çmimit të metrit kub”, tha ai.



