
Një armë shumë e veçantë që Presidenti rus, Vladimir Putin ka zgjedhur të vendosë në Krime janë dy delfinë “ushtarë”, të cilët patrullojnë në thellësitë e portit të Sevastopolit, baza e flotës ruse të Detit të Zi, aty ku u godit dhe fundos anija e saj Moskva.
Instituti Amerikan Detar (Usni) rindërton rolin e dy gjitarëve në mbrojtjen e flotës ruse nga sulmet e nëndetëseve, bazuar në imazhet satelitore.
Janë dy ekzemplarë të trajnuar nga ukrainasit, të cilët përfunduan në duart e Rusisë në vitin 2014. Moska më pas rekrutoi 5 të tjerë për t’u vendosur në zonë.
Ushtria ruse ka zhvilluar një sistem për të kthyer sinjalin e jehonës së delfinit drejtpërdrejt në instrumente kontrolli duke i bërë ata të dobishëm në gjurmimin në kohë reale të minave ose të ndonjë objekti lëvizës nën ujë.
Baza e Sevastopolit në Krime, është tejet e mbrojtur, pasi ndodhet në një gji ku mund të perceptohet qartë një fërshëllimë që lëshohet për të parandaluar përparimin e sulmuesve nënujorë.
Delfinët përfaqësojnë një nivel të rritur të vigjilencës, duke u kthyer kështu në një strategji të re ushtarake.
Një balenë “ruse” u pa në brigjet e Norvegjisë në vitin 2019. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan programin e parë të trajnimit të kafshëve detare gjatë Luftës së Vietnamit dhe tani raportohen qindra “ushtarë” të tillë në ujëra.



