Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçari shkrimtari Ismail Kadare.

Mësohet se Kadare ka ndërruar jetë në urgjencën e QSUT-së mëngjesin e kësaj të hëne.
Kadare ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit, zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Veprat e Kadaresë janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Kadare është autor i romaneve "Dimri i madh", "Kronikë në gur", "Kush e solli Doruntinën", "Kështjella", "Pallati i ëndrrave", "Dosja H", "Darka e gabuar", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perëndive te stepës", "Koncert në fund të dimrit", dhe i një serie përmbledhjesh, novelash dhe poezish.
Është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Dyca. Në vitin 2005 fitoi çmimin "Man Booker Prize".
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.



