Lideri i Partisë së Pavarur të Mbretërisë së Bashkuar, e njohur si UKIP, Nigel Farage deklaroi sot se do të ishte i lumtur të pranonte një punë në administratën e Donald Trump, nëse kandidati republikan zgjidhej president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Farage, i cili ka mbështetur Trumpin në fillim të fushatës dhe mbajti një fjalim në një nga mitingjet e miliarderit, tha se “do të preferonte të ishte ambasadori i tij në BE”, gjatë një interviste në programin “The Agenda” të televizionit ITV.
“Këto zgjedhje amerikane janë shumë të thjeshta, është pak a shumë si Brexit”, u shpreh Farage për moderatorin Robert Peston, duke iu referuar votimit të Britanisë së Madhe, në qershor për daljen nga Bashkimi Evropian.
“Dëshironi një ndryshim, apo dëshironi të qëndroni pikërisht siç jeni?”, tha ai.
“Nëse ai më ofron një punë, unë do të doja shumë që të isha ambasadori i tij në Bashkimin Evropian, dhe mendoj se do t’a bëja shumë mirë atë punë”, shtoi Farage
Farage dha dorëheqjen si kreu i partisë anti-BE, UKIP pas referendumit të Brexit, duke u thënë gazetarëve se “gjatë fushatës së referendumit kam deklaruar se dua të më kthehet vendi im, ndërsa sot ju them dua të më kthehet jeta ime”.



