Eksperti i Çështjeve të Sigurisë, Pëllumb Nako, duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv për atentatin në Aeroportin e Rinasit theksoi se ndryshimet nuk duhet të shtrihen vetëm brenda institucionit të Policisë, por në një kuadër më të gjerë social. Nako vë në dukje se nuk është e rastësishme që fenomene të tilla ndodhin në Fushë-Krujë, pasi në këtë zone ka patur implikime të familjeve të mëdha që janë mes mbështetjes së fort politike dhe aktivitetit kriminal.
“Nuk është diçka e rastësishme që pikërisht në këtë zonë (Fushë-Krujë) të ndodhin fenomene të kësaj natyre. Ka pasur edhe implikime të familjeve të mëdha që banojnë në këtë zonë, dhe që janë mes mbështetjes së fort politike dhe aktivitetit kriminal. Kjo i ka dhënë një lloj specifike zonës. Duke patur një mbështetje politike, që kanë qenë edhe pjesëtarë të Parlamentit, grupe të kësaj natyre duke qenë edhe aktivë në momentet e zgjedhjeve, duke qenë se shohin edhe interesat…Klasa politike i shfrytëzon gjatë zgjedhjeve, dhe gjithnjë ka nevojë për element të tillë, ata ndihen më të mbrojtur dhe vetveprues.
Edhe vet policia ka një lloj frenimi për të goditur këto fenomene, dhe në përgjithësi veprohet pasi ndodh një ngjarje e rëndë dhe reagohet. Grupet kriminale janë aty dhe aktiviteti i tyre është i nëndheshëm. Ky trafik gërshetohet me brenda vendit, sidomos me jashtë vendit. Këto grupe kriminale s’janë të kontrolluara dhe fuqia ekonomike i bën më të rrezikshme. Gjetja e vendit ku u bë atentati…Nuk është thjesht ideja e sigurisë kombëtare, por është një zonë kaq e populluar, saqë mund të kishte edhe dëme katastrofike kolaterale. Më shqetëson që u bë e disata herë që grupet kriminale kur lajnë hesape me njëri-tjetrin, futen në momente kur ka publik.
Elementë të policisë bashkëpunojnë me krimin. Kjo është provuar dhe s’është më perceptim. Pas rënies së diktaturës deri më sot ligji për policinë është ndërruar 8 herë. Që këtu fillon paqëndrueshmëria e ligjit. Flas për ndryshimin e ligjit vet, jo për ndryshimet pjesore brenda ligjit. Paqëndrueshmëria ligjore bën që një punonjës që ka pasion, dëshirë të eci në karrierë, pikën e referimit s’e sheh te ligji, sepse ai ndryshon. Do ta gjejë te klientelizmi, miku, lidhja politike, pse jo edhe te korrupsioni.
Kjo duhet të marrë fund. Sa here ka rotacion politik largohen 2-3 mijë police dhe një pjesë e tyre do të vihen në shërbim edhe të individëve që u ofrojnë mundësira financiare. Në momentin kur fillojnë fushatat janë të preferuar nga politika sepse janë efikas. Ish-policë që bëjnë militantin. Këta individë bëjnë një investim politik, që kur të vijë qeveria tjetër të kenë mundësi të kapin pozicione. Është e pafalshme për AMP që nuk filtërohet informacioni dhe rekrutohen persona të kësaj natyre. Në Shqipëri është i pranishëm presioni okult politik mbi institucionet. Mbi një presion të tillë rekrutohen edhe individë të tillë. Ndryshimi s’mund të ngelet vetëm brenda institucionit të Policisë, por duhet parë në kuadër më të gjerë social”.



