Dalin pamjet e ekzekutimit të 47-vjeçarit shqiptar, Ilir Zelka, në Brazil. Zelka u ekzekutua teksa hante mëngjesin në restorantin e një hoteli, në një nga lagjet më të pasura të Sao Paolos në Brazil. Siç raportojnë mediat braziliane, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës në një restorant në Jardins.
Pamjet tregojnë momentin kur vrasësi zbret nga motori dhe qëllon mbi 47-vjeçarin, i cili ishte ulur pranë dritares.
Hetimet paraprake e kanë futur ngjarjen në kategorinë e vrasjeve të qëllimshme, pasi viktimës nuk i është marrë asgjë.
Sipas oficerëve të policisë braziliane, Zelka u qëllua me snajper nga një person, i cili kishte zbritur nga motori. Sipas dëshmitarëve, ekzekutori kishte një veshje rozë. Ai është larguar menjëherë dhe ka braktisur mjetin jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Zelka është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Menaxheri i restorantit është shprehur se prej dy javësh, viktima shkonte aty rregullisht për të tre vaktet.
"Vrasësi nuk i mori asgjë. Ai as nuk hyri në restorant. Ai qëndroi jashtë", ka thënë Osmar Americo.
Hetuesit thanë se Zelka kishte qëndruar në një hotel në Jardins që nga 20 nëntori.



