
Fatos Lulo është gjyqtari i parë që ka mbetur në “rrjetën” e vetingut. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është shkarkuar nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Lulo u shkarkua, pasi nuk justifikon pasurinë e tij prej 480 mijë dollarë dhe shtëpinë në Kanada. Gjithashtu, sipas ILDKPK, Lulo është zotërues i një apartamenti te ‘Rruga e Durrësit’, i fituar me kontratë dhurimi nga motra dhe një zyrë, sipas deklarimit të tij e dhuruar me vlerë 100 mijë dollarë. Lulo zgjodhi të mos ishte i pranishëm gjatë procesit, duke u përfaqësuar me një avokat.
“Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese vendosi shkarkimin nga detyra të Fatos Lulo, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i arsyetuar me shkrimi njoftohet Lulos, Komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Vendimi publikohet në faqen zyrtare të KPK. Ky vendim apelohet nga Lulo 15 ditë nga data e njoftimit, ankimohet pranë KPK”, deklaroi në fund të mbledhjes kryetarja e trupës gjykuese, Genta Tafa Bungo.
Procesi i vetingut pritet të vijojë edhe për gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë. Në bazë të ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët që nuk justifikojnë dot pasuritë, përjashtohen nga sistemi.
Gjyqtari Fatos Lulo ka deklaruar pasuri me vlerë rreth 74.5 milionë lekë në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2015 pasuria e tij kapte vlerën e rreth 92 milionë lekëve. Lulo ka shënuar mesatarisht çdo vit rritje të pasurisë në vlerën e 1.4 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese përbëhen në rreth 40 për qind nga paga dhe shpërblime, 32.9 për qind nga dhuratat në cash dhe 27 për qind nga shitblerja e pronave dhe automjeteve. Dhuratat nga motra zënë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij; 100 mijë dollarë cash në vitin 2007, 100 mijë dollarë të tjerë në vitin 2008 dhe një zyrë dhuratë në vitin 2009.
Pikrisht këto dhurata u bënë shkak për një verifikim pasuror të nisur nga ILDKP-ja në vitin 2012, po që përfundoi pa rezultat.



