Kryeministri i Anglisë Boris Johnson konfirmoi të hënën se me datë 2 dhjetor do të përfundojë karantina e plotë në të cilën ndodhet vendi, por aktualisht ajo që diskutohet është se çfarë do të ndodhë me periudhën e festave dhe më konkretisht të Krishtlindjeve.
Sipas BBC skoceze katër vendet e Mbretërisë së Bashkuar e kanë që tani një plan për të cilën kanë rënë dakord. Ideja është që njerëzit të mos festojnë vetëm dhe për këtë arsye do të lejohet që tre familje të takohen me njëra-tjetrën në një periudhë 5 ditore, 23-27 dhjetor.
Gjithsesi ky plan është subjekt i ndryshimeve nga qeveritë respektive pavarësisht dakordësisë që kanë në Mbretërinë e Bashkuar. Është e kuptueshme që familjet në fjalë do të lejohet të qëndrojnë tek njëra-tjetra edhe gjatë natës.
Në të njëjtën kohë të shqetësuar për këto masa janë mjekët të cilët presin që në janar të ketë një rritje të numrit të të infektuarëve. Prandaj për këtë arsye fillimisht do të jetë e këshillueshme që të shmangen takimet dhe nëse ndodhin të respektohet distanca ose masa të tjera të ngjashme.



