
Agjencitë e zbatimit të ligjit arrestuan rreth 800 kriminelë në të gjithë botën pasi mijëra njerëz u mashtruan për të përdorur një aplikacion të krijuar nga policia.
Autoritetet Australiane thanë për mediat se njeriu që padashur i ndihmoi në shpërndarjen e aplikacionit ishte një i arratisur me emrin Hakan Ayik.
Ndërsa pretendohet se Ayik të jetë një padron i drogës, ai ishte ndikuesi kryesor që iu dha mundësi agjentëve të fshehtë të fusin një celular me aplikacionin të cilin ai ua rekomandoi bashkëpunëtorëve të tjerë kriminelë.
"Ai u identifikua për shkak të qëndrimit të tij brenda botës së nëndheshme," tha një hetues i lartë australian. "Ai ishte një objektiv kryesor si dikush që i besohej dhe do të ishte në gjendje të shpërndante me sukses këtë platformë."
Raportohet se ai ka jetuar 6 vite në Turqi dhe policia e ka nxitur atë të vetëdorëzohet për sigurinë e tij pas bërjes publike të emrit të tij.
"Duke pasur parasysh kërcënimin me të cilin po përballet, ai është më mirë ta dorëzojë veten sa më shpejt të mundet.," tha Komisioneri Federal i Policisë australiane, Reece Kershaw.
Por kush është Ayik?
I njohur gjithashtu si Joseph Hakan Ayik, 42-vjeçari u lind nga prindër turq në periferi të Sidnejt, ku jetoi për vite me radhë.
I cilësuar nga mediat australiane si “gangsteri i Facebook”, Ayik reklamonte jetën e tij të shtrenjtë në këtë rrjet social, ndërsa dyshohej se ishte i lidhur me banda dhe rrjete droge.
Ai ka jetuar për vite me radhë jashtë vendit që kur u dyshua si pjesë e trafikimit të heroinës në Australi.
Ai u arrestua në Qipro në vitin 2010, por u zhduk pasi përfitoi liri me kusht dhe që prej asaj kohe ka mbetur në listat e të kërkuarve të Australisë.
Policia thotë se Ayik ka vazhduar aktivitetin e tij të paligjshëm edhe jashtë vendit, me një numër të madh bashkëpunëtorësh.

Si ishte përfshirë ai padashje në këtë operacion?
Zyrtarët australianë thanë se Ayik padashur luajti një rol vendimtar në operacionin e tyre.
Pasi iu dha një celular me aplikacionin ANOM nga agjentët e fshehtë, ai ia rekomandoi atë dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Raportohet se ishin rreth 12,000 pajisje të koduara që qarkullonin në tregun e zi me aplikacionin e ngarkuar paraprakisht dhe përdoruesit i kërkohej një kod nga një përdorues ekzistues për të hyrë, duke krijuar një element besimi.
"Ne kemi qenë në xhepat e pasme të krimit të organizuar," tha komisioneri i policisë Kershaw.
Zyrtarët thonë se ata ishin në gjendje të lexonin miliona mesazhe në "kohë reale" ku flitej për komplote të vrasjeve, planet e importit masiv të barnave dhe skema të tjera.
Ayik nuk është arrestuar ende, por zyrtarë e lartë të policisë thanë se të tjerët të përfshirë në këtë operacion e dinë tashmë që ai ishte personi që i ekspozoi ata.
"Ayik ishte personi kryesor midis ANOM dhe kartelave kriminale.”, tha Jared Taggart, oficeri i lartë i policisë në Australi.
"Këto pajisje ekzistojnë pothuajse kudo në botë… janë si një pemë familjare, ju mund t'i gjurmoni të gjitha pajisjet."
Burimi: BBC Përshtati: MCNtv.al



