Grupet kriminale e kërkojnë të vdekur Durim Bamin, ekstradimi që mund të trondisë krimin shqiptar (VIDEO)

Grupet kriminale e kërkojnë të vdekur Durim Bamin, ekstradimi që mund të trondisë krimin shqiptar (VIDEO)

Nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga forcat e rendit, zbret në pistë një nga emrat më të përfolur të viteve të fundit në botën e krimit shqiptar.

Ky është momenti që shënon fundin e arratisë së Durim Bamit dhe nisjen e një faze të re, përballjen me Prokurorinë e Posaçme SPAK, e cila e kishte shpallur në kërkim prej majit të vitit 2024.

 

Ekstradimi i tij konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar. Për vite me radhë, emri i Durim Bamit është lidhur me hetime të ndryshme, me përplasje mes grupeve rivale dhe me çështje që kanë prekur edhe politikën.

Sjellja e Durim Bamit për tu përballur me drejtësinë në Shqipëri është fillimi i një procesi që pritet të ketë zhvillime. Sepse ky nuk është vetëm momenti i një të ekstraduari por është rikthimi në skenë i një personazhi që për vite ka prodhuar shumë kriminalitet dhe përplasje mes grupeve shumë të rëndësishme të krimit të organizuar shqiptar.

 

Tashmë, me ekstradimin e Bamit, nis një kapitull i ri hetimore në dosjet dhe ngjarjet kriminale ku emri i tij është i përfshirë. Nga kjo pikë, fjalën e ka SPAK nëse do të jetë i aftë ti hapë gojën njeriut që di shumë sekrete të krimit të organizuar shqiptarë. 

Por për të treguar rëndësinë e Durim Bamit në hierarkinë e krimit të organizuar duhet të kthehemi shumë herët, më shumë se dy dekada më parë. Ai ka qenë i dënuar në vitin 2006 për pengmarrje të një personi dhe është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në atë kohë.

 

Durim Bami nuk ishte personazhi i vetëm i grupeve të Niklës dhe Fushë-Krujës të cilët deri në vitin 2013 konsideroheshin shumë të afërt me njëri-tjetrin. Por pas këtij viti kur mes tyre u fut politika dhe grupe të tjera të krimit të organizuar mes tyre pati shumë konflikte. 

Enver Stafuka dhe Gentian Bejtja u arrestuan si të dyshuar se kishin grabitur makinën e cila u përdor në vrasjen e oficerit te policisë Dritan Lamaj, për të cilët akuzohet Arben Frroku, vëllai i ish deputetit Mark Frroku.

 

Sot që flasim Enver Stafuka prej 10 vitesh rezulton i zhdukur dhe dyshuar se është vrarë, ndërsa Gentian Bejtja u qëllua në derën e shtëpisë së tij pas disa atenatesh të dështuara ndaj tij.

Gjithashtu Durim Bami është tentuar të vritet disa herë por pa sukses siç ishte tentiava e shkurtit të 2015 ku mjetit të tij në Fushë-Krujë iu vendos 200 grame tritol i gatshëm për të shpërthyer.

 

Menjëherë ai njoftoi policinë, ndërkohë që forcat xheniere të mbërritura nga Tirana, zbuluan se fijet lidhnin lëndën eksplozive e cila ishte gati për shpërthim.

Sipas ekspertëve, eksplozivi do të shpërthente sapo makina të lëvizte ndërkohë, që një prej pistave të hetimit ishte e kaluara e Bamit. Durim Bami edhe pse person me precedentë penalë, në atë kohë u tha hetuesve se nuk ka patur probleme me persona të tjerë.

 

Deri në vitin 2015 emri i tij qarkullonte në skedarët e policisë si i përfshirë në ngjarje kriminale të cilat kishin ndodhur në trekëndëshin Tiranë-Durrës- Lezhë. Pavarësisht informacioneve policia dhe prokuroria nuk kishin mundur ta ndalnin aktivitetin e tij kriminal, i cili sa vinte dhe rritej dhe në të njëjtën kohë bëhej më i vështirë për ta vënë para drejtësisë, pasi gjithmonë mungonin provat.

Por në këtë kohë kur Partia Socialiste sapo kishte ardhur në pushtet në koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim, askush nuk do ta mendonte që ai do të bëhej pjesë e një telenovele ku do të përfshiheshin drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptarë. 

 

Një ndër protagonistët kryesorë të telenovelës Durim Bami, sipas pretendimeve të ish-deputetit socialist Tom Doshi, kishte marrë urdhër për ta vrarë. Këtë porosi Durim Bami e kishte marrë nga Ilir Meta që në atë kohë mbante detyrën e kryetarit të parlamentit dhe ishte bashkëdrejtues i koalicionit qeverisë, bashkë më kryetarin e partisë Socialiste Edi Rama.

 

Kjo ngjarje më pas solli pyetjen njëri pas tjetrit në prokurorinë për Krimet e Rënda në atë kohë të Saimir Tahirit, ish ministër i brendshëm, të deputetit Tom Doshi, të Ilir Metës kryetar i parlamentit, Spartak Brahos kryetar i komisionit të sigurisë. Sali Berisha u pyet nga prokurorët në atë kohë mbi këtë ngjarje.

 

Gjithashtu u morën në pyetje dhjetëra persona të tjerë dhe prokuroria arriti në përfundimin se deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku kishin krijuar një histori të paqenë, duke i akuzuar për kallëzim të rremë.

Të dy u arrestuan në atë dhe bashkë më ta dhe Durim Bami si personi i cili kishte marrë porosinë për të kryer këtë vrasje, e cila në fakt sipas prokurorisë nuk ishte e vërtetë, pasi qëllimi i vërtetë i tre personave të përfshirë në të kishte qenë, ndjekja penale e Ilir Metës.

 

Ky është rasti i parë që emri i Durim Bamit u bë i shumë i njohur për publikun pavarësisht se policia dhe prokuroria kishin informacioni për aktivitetin kriminal të tij dhe ishte dyshuar për disa ngjarje kriminale. 

Një serial që shqiptarët e ndoqën për disa javë pasi në të u përfshinë dhe aktorë humori të cilët shoqëronin politikanët që pyeteshin në prokurori, duke bërë që kjo ngjarje të merrte vëmendjen e publikut, por në thelb nuk kishte asgjë të vërtetë.

 

Për teatrin që luhej Durim Bami pati rol kryesorë dhe që e bëri të arrestohej së bashku me dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Më pas filloi një proces gjyqësor ku Tom Doshi fitoi pafajësi, ndërsa Mark Frroku dhe Durim Bami u dënuan për kallëzim të rremë me 8 muaj heqje lirie por që u liruan për shkak se e kishin kryer gjatë periudhës së paraburgimit. 

 

Pas kësaj histori Durim Bami e mbajti vetën larg syrit të publikuar por duke vazhduar aktivitetin e tij kriminal, me dyshimet se është përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. Por për shkak të pozicionimit të tij përveç policisë dhe prokurorisë Durim Bami kërkohej edhe nga kundërshtarët e tij, i gjallë ose i vdekur.

Këtë gjë na e tregoi dosja “Revanshi” ju pjesë e saj janë një pjesë ë madhe e emrave më të njohur të krimit të organizuar shqiptare, dosje e cila tregoi aleancat, armiqësitë dhe intrigat mes grupeve kriminale shqiptare.

 

Listës së emrave të përfshirë në këtë hetim i cili tashmë është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Posaçme është edhe Durim Bami, ku në disa raste është objektiv për tu vrarë dhe në raste të tjera ka siguruar kushtet për të ekzekutuar kundërshtarë të tij.

Episodi i parë ku Bami është rezulton objektiv është atentati që është bërë nëntorin e vitit 2020.

 

Një grup i strukturuar kriminal i krijuar, drejtuar dhe organizuar nga, Tori Xheçuka dhe i financuar nga Ervis Martinaj, në përbërje të të cilit ishin dhe Florenc Kelmendi dhe Marklen Haka janë organizuar prej qershorit 2020 për vrasjen e shtetasit, Durim Bami, për shkak të konflikteve që Ervis Martinaj dhe Tori Xhecuka kishin me Bamin. 

 

Më datë 4.11.2020, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kanë tentuar të vrasin me armë zjarri pa leje, shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra në vendin e quajtur Ura e Tapizës, Fushë Krujë. Ata po udhëtonin me një autoveturë Range Rover, ngjyrë e zezë me targa italiane, ndërsa pasagjer ka qenë djali i hallës së tij, Ervin Kodra. Dosja e SPAK na tregoi rëndësinë që kishte eliminimi i tij, ku u bënë bënë bashkë 5 grupe kriminale për ta eliminuar. 

 

Për kokën e Durim Bamit ishte vendosur edhe një çmim pasi për eliminimin e tij paguheshin deri në 1 milion euro dhe kjo del në komunikimet që Emiljano Shullazi ka me Satilno Bashon.Ky është një mesazh që Shullazi i ka dërguar bashkëbiseduesit të tij.

 

Se për atë mbushin 1 milion euro. Këtë muhabet e bëj me ty dhe nuk dua që ta marri vesh njeri, ça flasim bashkë. Dur Bami të pret në besë duke ngrënë bukë, ai ka njëqind hasmër, do bëj festë policia. As nuk do e kërkoj njeri atë muhabet.”- Dosja e SPAK

 

Për lokalizimin e Durim Bamit, Emilajno Shullazi ka kërkuar edhe ndihmën e Marklen Hakës një tejtër personazh nga zona e Niklës. Këtë informacion Shullazi ia dërgon Arben Ndokës, ish deputetit socialist i cili është personi që e do të vdekur Durim Bamin. Sipas dyshimeve të tyre Durim Bami ka lidhje me ekzekutimin Aleksander Ndokës, vëllai i ish deputetit. 

 

Po më thon tani qe rrin aty tek Oxhaku shumë, dhe del edhe pa blind, tek lokal “Artisti” dhe më shumë se 20 minuta nuk rrin. Rrin me çunin e xhajës së vet, atë Kocin (Gentian Koci) dhe Ervin Kodra nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai, se del një ditë dhe rrin një javë pa dalë, shofim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë dhe kush ka gjuajtur. I flet Valteri të gjitha pastaj sa ti thuash e ke radhën ti.”.- Dosja e SPAK

 

Krahas këtij opsioni Arben Ndoka kërkon të gjejë vrasës me pagesë në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut. Në një komunikim me një person të paidentifikuar ende nga prokuroria flitet për shifra që shkojnë deri në 100 mijë euro.

Vllai për person 100 mijë euro dhe ju duhen 25 mijë në fillim të punës se ju duhen për hrxhime për të blerë gjerat që ju duhen atyre se marrin shpia, makina e cfarë ju duhet.”- Dosja e SPAK

 

Në dosje është zbardhur një bisedë mes Arben Ndokës dhe Ervis Martinajt ku ish deputeti i tregon për vrasësit nga Kosova dhe nëse ai kishte dëshirë mund ti përdortë në punë të tijat. Ndoka komunikon me Emiljano Shullazin ky i fundit i tregon vendet ku rri dhe lëvizjet që kryen Durim Bami, informacione të cilat i ka marrë nga Marklen Haka.

 

Në lojë për eliminimin e Durim Bamit futet dhe Astrit Avdyli duke bërë që eliminimin e tij ta kërkojnë tashmë katër grupe, duke e kthyer të fortin e Niklës prenë kryesore të tyre.

Avdylaj komunikon disa herë me Arben Ndokën duke i vënë në dispozicion nipin e tij Aldo Avdylin dhe Arben Mërkurin i njohur si Maneci, i cili u vra në vitin 2022, dy vite pasi zhvilloheshin këto biseda.

 

Nipçen (Aldo Avdyli) dhe tërmetin (Arben Mërkuri), lëshoj njerzit,ata tani ti e din, ok, gati i ke.”- Astrit Avdyli 

Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj therrësin në ndihme dhe një tjetër personazh të njohur Gentian Bejtja, kundërshtar i betuar i Durim Bamit. Ai u vra disa muaj më parë në hyrje të shtëpisë së tij.

 

Në gushtin e vitit 2020 të gjithë vihen në dijeni se Durim Bami ishte Ksamil duke pushuar në një hotel të zonës. Menjehrë drejt kësaj qyteze niset një grup. Një konfirmim se Bami ishte në Ksamil vjen edhe Gentian Bejtja i cili ka marre informacion nga kunati i tij , ndërsa i kërkon që vrasjen ta kryejnë atje pasi është një rast shumë i mirë.

 

Gjej rob ta boj aty. Mos nigjo barcaletat e atij që thoshte se maroj në Durrës, se në Durrës e marojnë të gjithë. Po është turp me lon sdo ta gjesh mo at shanc.”- Gentian Bejtja

Arben Ndoka komunikon me Arben Mërkurin ku diskutojnë për mundësinë e vrasjes së Durim Bamit në Durrës, gjatë rrugës së kthimit. Gjithashtu ai ka folur edhe me Aldo Avdylin ku i kërkon që të jetë gati dhe të ketë kujdes nga policia. Ndërsa Avdyli i kërkon që të jetë i saktë informacioni në mënyrë që të mos vriten njerëz të tjerë kot.

 

Deri tani nuk kemi parë polici dhe ishalla na e konfirmon se i ka ardh ora. Na thuj ta shikoj mirë ai robi mos tja fusim milettit kot. Ti vihet mbrapa sa ta shohi e të shkruj në çdo moment.”- Dosja e SPAK 

 

Por atentati dështon për shkak se grupet e dërguara në terren nga Arbën Ndoka kanë mundur ta identifikojnë saktë Durim Bamit. Por eliminimi i Bamit është detyra kryesorë për Arben Ndokën dhe në ndihmë këtë radhe i vjen Behar Bajri, i arrestuar në dosjen metamorfoza.

 

Ky i fundit i thotë që Durim Bami do shkonte ta takonte në Shkodër dhe e pyet nëse i ka njerëzit gati.

Nëse vjen Duri me Mariglenin se thojnë dun me ardh me më taku, i ke gati nëse vijnë. Se ty të dojn të vdekur, unë i thash që nuk kam muhabet me të. Nëse vijnë për zoten me ju q… ropt e tyne. Po erdhi me më taku është i vdekur.”- Dosja e SPAK

 

Por edhe ky rast dështon për shkak se Durim Bami nuk udhëton vetë drejt Shkodrës për ti dorëzuar një shumë parash Behar Bajrit.

Durim Bami ishte i vetëdijshëm që për armiqtë që kishte përballë dhe fuqinë e tyre për këtë arsye ai kishte krijuar aleancat e veta me qëllim goditjen e Arben Ndokës. Sipas SPAK ai ka një aleancë me Endrit Dokle, Xhelal Rrajën, Marklen Hakën për të ekzekutuar ish deputetin e partisë socialiste.

 

Në 27 janar të vitit 2021 Durim Bami komunikon me Endrit Doklen në lidhje me mundësin e vrasjes së Arben Ndokës. Dokle i thotë se Arben Ndoka ka mundësi që të nesërmen të shkojë për kafe dhe qokë në Rrugën e Elbasanit, tek pallati i kuq i Zamirit pasi kishte vdekur një gjyqtar nga lezha. 

 

Endrit Dokle sqaron SPAK në dosje i thotë Durimit se nuk e di se kur do shkoj Arben Ndoka për kafe por kur të jetë brenda në shtëpi do ta merrte vesh. Bami i konfirmon disa orë më vonë se e njeh mirë zonën, ndërsa Dokle i zbulon se objektivi i tyre kishte marrë në telefon familjarët e të ndjerit se do të shkonte për kafe.

 

Endriti vazhdon bisedën duke i thënë Durimit se sot Arben NDoka nuk do të shkonte por nesër dhe ditët në vijim ishte 100 % e sigurte që do të shkonte dhe se kur të jetë duke pirë kafën do e marrë vesh.”- Dosja e SPAK

 

Pas kësaj ai i thotë Durim Bamit nëse i ka njerëzit afër puna është e kryer. Ky i fundit ia konfirmon një gjë të tillë duke thënë se nuk e lejë ti ikë. Pas këtij momenti Bami flet me Xhelal Rrajën ku i tregon për mundësinë e vrasjes së Arben Ndokës. Në të njëjtën kohë flet me Marklen Hakën ku i sqaron planin e tij.

 

Një ditë më vonë në 28 janar 2021 Durim Bami dhe Marklen Haka sipas SPAK shkojnë në vendin ku do të vinte Arben Ndoka, por ky i fundit nuk është shfaqur duke bërë që plani të dështonte. Edhe ditën tjetër Bami kërkon informacion nga Endrit Dokle por ky fundit i thotë se nuk ka asnjë detaj të ri dhe se ishte i gatshëm për të paguar çdo lloj shifre për të marrë informacion.

 

Gjithashtu Durim Bami, në rolin e krijuesit, organizuesit dhe drejtuesit të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me të pandehurit, Endrit Dokle dhe Marklen Haka si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar gjatë muajit shkurt 2021 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve, Tori Xhecuka dhe Erigers si. Ky i fundit u vra në një atentat në zonën e Astirit në Tiranë nëntorin e vitit 2021 së bashku me mikun e tij Armand Dumani. 

 

Kaq shumë armiqësi e mbledhur ndër vite për shkak të aktivitetit kriminal të kryer për herë të parë Durim Bami do të jetë në qeli njësoj si kundërshtarët e tij. Ndërsa ajo që i shqetëson të gjithë është nëse ai vendos të flasë për ato që di dhe nëse e bën SPAK do të këtë në dorë bashkëpunëtorin më të rëndësishëm kundër krimit të organizuar në 20 vitet e fundit. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy