
Me tapet të kuq dhe me ritet tradicionale indiane, presidenti Joe Biden priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e Indisë Narenda Modi. Tregtia dypalëshe, lufta në Ukrainë dhe partneriteti mes dy superfuqive ishte në qendër të bisedimeve mes presidentit amerikan dhe kryeministrit indian. Pas bisedimeve në Zyrën Ovale, liderët mbajtën një konferencë për gazetarët. Mediet indane shkruajnë se kjo ishte një ngjarje e rrallë për Modin, i cili ka dhënë shumë pak intervista që kur mori detyrën nëntë vjet më parë dhe nuk ka mbajtur asnjë konferencë për shtyp. Narenda Modi mbajti gjithashtu një fjalim një orësh përpara ligjvënësve në Kongresin Amerikan. “Rendi botëror po merr formë të re. Unë pajtohem me presidentin Biden se ky është një partneritet që do të përcaktojë këtë shekull. Lidhjet e ngushta të mbrojtjes midis vendeve tregojnë besim të ndërsjellë. India është e përgatitur për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, në çdo mënyrë që të mundet, përmes dialogut dhe diplomacisë. Bëj thirrje për reformën e institucioneve ndërkombëtare shumëpalëshe dhe që Bashkimi Afrikan të marrë një vend të përhershëm në G20”. Analistët amerikanë shkruajnë se India është një partner i rëndësishëm amerikan për të ndërtuar rend më të fortë ndërkombëtar, teksa Kina dhe Rusia afrohen edhe më shumë me njëra- tjetrën.



