Vjosa Osmani, ushtruesja në detyrë si presidente e Kosovës, ka bërë të ditur se nuk mund të ketë dialog me Serbinë deri në zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas Osmanit pa u krijuar institucionet e reja askush nuk e ka legjitimitetin për të negociuar. Kjo si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta cilësuar të paligjshme qeverinë aktuale.
“Legjitimitet të tillë nuk mund të ketë as ndonjë i deleguar nga një qeveri e tillë”, ka thënë Osmani. Ajo këto komente i bëri në Bruksel, ku të martën ka zhvilluar takime me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, dhe me Komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Verhelyi.
Më tej Osmani ka patur një takim edhe me grupin “Miqtë e Kosovës” të formuar nga disa ligjvënës të Parlamentit Evropian. Presidentja në detyrë ka thënë se askush në Kosovë nuk është kundër dialogut, por Kosova duhet të ketë “një qëndrim unik, i cili duhet të jetë në përputhje me interesat e Kosovës, duke respektuar edhe kufijtë e saj”.



