
Dy muaj më parë, Parlamenti Europian miratoi direktivën që u bën të mundur mediave të paguhen nga gjigantët e internetit për materialet e publikuara prej tyre. Por, "nëpërmjet një fushate të gjerë lobimi, gjigandët e internetit po përpiqen të ndryshojnë përmbajtjen e direktivës: ato po përpiqen të përjashtojnë nga pagesa ato që janë definuar si "ekstrakte të shkurtra" ose "faktike". Nëpërmjet kësaj, gjigantët e internetit synojnë të përjashtojnë agjencitë e shtypit dhe mediat e specializuara, për të zvogëluar kohëzgjatjen e mbrojtjes së të drejtave të lidhura me to".
Në lidhje me këtë strategji të re kanë ngritur zërin një grup gazetarësh. Ankesa është përfshirë në një letër të re të firmosur nga kreu i zyrës së AFP-së në Bagdad, Sammy Ketz, dhe nënshkruar nga dhjetëra gazetarë, duke përfshirë, ndër të tjerë, italianët Lorenzo Cremonesi (Corriere della Sera), Luigi Contu (ANSA), Maurizio Molinari (La Stampa), francezja Florence Aubenas, spanjolli Angeles Espinosa dhe britaniku Patrick Cockburn.
"Është e paimagjinueshme që me pretekstin se është" fragment i shkurtër", të mos paguhet për informacione faktike rreth Brexit, apo për dramën e refugjatëve në qendrat e pritjes në Greqi. Imagjinoni sa punë është bërë për të shkruar një artikull me titullin "Bomba vetëvrasëse në një lagje shiite në Bagdad: 32 të vdekur (burime: policia, spitalet). Për këtë rresht të vetëm, gazetari ka investiguar me policinë për të përcaktuar natyrën e shpërthimit, ka kontaktuar spitalet për të hartuar një bilanc, ka shkuar vetë atje për të përshkruar vendin, për të mbledhur provat. E gjithë kjo e ka vënë jetën e tij në rrezik, pasi nuk ndodh rrallë që një sulm tjetër i ngjashëm të ndodhë në të njëjtin vend. 9 gazetarë dhe fotografë janë vrarë, përfshirë atë të AFP-së, Shah Marai", shprehen gazetarët.
Në letër, gazetarët bëjnë thirrje që të ruhet drafti i miratuar me 12 shtator, që është produkt i një pune dyvjeçare e 438 deputetëve.
“Ajo që është në lojë në Bruksel në këtë moment është e ardhmja e shtypit dhe e të gjitha profesioneve që përfshijnë punën krijuese, qofshin ato të muzikës, letërsisë, kinemasë, teatrit në Evropë. Dhe e gjithë kjo të bëhet pa pasur ndonjë ndikim negativ mbi konsumatorët, të cilëve duhet t’u garantohet aksesi falas në hapësirat ku botohen artikujt", thuhet në letër. / ANSA /



