
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin Florjan Kalaja. Vendimi është dhënë mëngjesin e sotëm, ndërsa KPK është shprehur se ndaj gjyqtarit Kalaja nuk janë gjetur shkelje që mund të çonin në shkarkimin e tij.
Gjyqtari Florjan Kalaja u përball të mërkurën me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për Kalajën kryesohej nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.
Florjan Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, ndërsa aktualisht e ushtron funksionin si gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
Paralelisht me punën si gjyqtar, Kalaja është angazhuar si pedagog në disa universitete si dhe është autor i botimeve në fushën e së drejtës civile.



