Deputeti Ben Blushi u ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe miqve të aktorit Bujar Lako, i cili u nda sot nga jeta. Në një mesazh në rrjetet sociale, Blushi e cilëson Lakon si aktori më i guximshëm i kohës së diktaturës.
“HOMAZH PËR BUJAR LAKON
Bujar Lako ishte aktori më i çuditshëm dhe ndoshta më i guximshëm i viteve kur kinemaja shqiptare ishte e vetmja dritare në Shqipërinë e mbyllur te diktaturës. Në ato kohë Bujarin e shihja të paktën dy herë në ditë. Paradite në bulevardin e Tiranës ku bashkë me miqtë e mi ëndërronim të kishim një mjekër si e tij dhe çdo darkë në televizor, kur ai luante si një demon i zbutur nga arti. Tani që nuk është më, ecja e tij e vetmuar në bulevard më duket sikur ka qenë roli i tij më i mirë. Ngushëllime familjes dhe miqve që e humbën”, shkruan Blushi.



