Gazetari Klodian Tomorri duke folur në edicionin e lajmeve në MCN Tv mbi ashpërsimin e gjobave për biznesin, tha se kjo filozofi është provuar si e dështuar pasi rritja e gjobave shpesh i bën ato të pazbatueshme.
Tomorri tha se niveli i lartë i informalitetit tregohet nga qarkullimi i parave Cash në ekonomi. Tomorri tha se fushatat anti-informalitetit dhe masat ndëshkuese, shpesh në Shqipëri janë përdorur për të goditur biznese që qeveria s’i sheh pranë saj, apo median.
Aty është e paqartë kush është propozuesi, është Këshilli i Ministrave apo Inspektoriati Shtetëror Qendror. Unë dyshoj dhe mendoj që është paraqitur nga Inspektoriati Shtetëror Qendror. Filozofia e rritjes së gjobave është provuar si e dështuar. Gjobat kanë sens deri në një farë niveli, pastaj kur i rrit më shumë humbasin zbatueshmërinë. Shndërrohen në të pazbatueshme, më shumë se rregullojnë prishin punë pasi shtojnë presionin për korrupsion. Jo domosdoshmërisht fuqizimi i Inspektoriatit është në interes publik. Rritje gjobash me projektvendim s’mund të ketë, pasi gjobat dhe penalitetet parashikohen me ligje. E shoh këtë projektvendim të hedhur për konsultim me skepticizëm, nëse do kalojë etapat dhe institucionet deri në miratimin final”
Informaliteti është një temë e cila rikthehet shpesh herë në debatin publik. Duhet saktësuar që s’ka një matje të saktë të informalitetit. E gjitha ajo që instituicionet e specializuara bëjnë janë vlerësime të përafërta, por asnjëherë precize dhe të sakta. Vet INSTAT para disa vitesh përllogariste që informaliteti në ekonominë shqiptare luhatej në rreth 30 për qind, plus, minus. CIA thotë që informaliteti në ekonominë shqiptare është 50 për qind. Ajo që ne perceptojmë dhe s’ka nevojë për matje të saktë, është që Shqipëria ka një ekonomi me nivel të lartë informaliteti, sepse kemi disa sinjale, qarkullimi i parave Cash në ekonomi. Ne jemi dy deri në tre herë më lart se rajoni. Informaliteti dhe lufta ndaj tij është sfidë e vazhdueshme, që nuk zgjidhet me fushata, siç ka tentuar qeveria. Kjo u bë anekdotë sepse u bënë aq shumë fushata sa kishte humbur edhe numërimi. Është një luftë që bëhet me baza të përditshme, me forcimin e institucioneve, luftimin e korrupsionit brenda institucioneve dhe s’bëhet mbi baza selektive. Pasi shpesh në Shqipëri, fushatat kundër informalitetit, apo këto ligjet që ashpërsojnë masat ndëshkuese, janë përdorur për të goditur biznese që qeveria s’i sheh pranë saj, i sheh si kundërshtarë, janë përdorur për të goditur median”.
Lidhur me lejet e ndërtimit Tomorri theksoi se frika më e madhe është se urija për ndërtime të reja mund të kthehet në një fluskë.
Është një periudhë ekspansioni e ndërtimit. E shohim se çfarë bëhet veçanërisht në Tiranë dhe zonat bregdetare. Ka një uri tregu për ndërtimet e reja, ku oferta po rritet me shpejtësi. Ajo që s’i japim dot përgjigje, është a është kjo uri e mbështetur mbi faktorë të qëndrueshëm ekonomikë, apo uri artificiale, që ndryshe përkthehet në fluskë. Frika më e madhe është a do të kthehet ajo në flluskë. Nëse ndërtohen kulla të mëdha në Tiranë dhe rezorte në bregdet dhe çmimet vazhdojnë të rritet, a do të ndodhë një moment kur kurba dhe trendi i rritjes do të thyhet. Askush s’e parashikon dot saktë, por kemi disa sinjale që na bën t’i druhemi një situate të ngjashme. Unë s’e shoh problemin te numri i lejeve apo sipërfaqja e ndërtimit, problemi është ku ndërtohet dhe si ndërtohet. Në vitet e fundit ne po ndërtojmë në mënyrë intensive në qendër të Tiranës, me grataçela shumëkatëshe që kanë ngushtësuar në mënyrë dramatike hapësirat.
Ajo që dimë ne është që ky volum kaq i madh i financime në ndërtim, sigurisht s’është i mbështetur në masën 100 për qind nga burime formale, si kredia apo kapitali i kompanive ndërtuese. Janë shumë kompani që dalin si fantazma, marrin leje ndërtimi për të ngritur kulla shumëkatëshe në Tiranë, për të bërë investime 30-40 milionë, ndoshta edhe 50 milionë euro. Ndërtimi është një nga sektorët më të riskuar për pastrimin e parave. Dyshimet janë që një pjesë e këtij aktiviteti po financohet nga paratë që vijnë nga trafiku i drogës dhe korrupsioni”.



